Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të pavlefshme seancat e Kuvendit të mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive.
Sipas Krasniqit, Gjykata ka bërë të qartë se Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, me votim të hapur, siç e parasheh Kushtetuta.
“Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime,” tha ai.
Kryetari i PDK-së i bëri thirrje Kryesuesit që të thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin,” përfundoi Krasniqi.