Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar situatën aktuale të partive politike në vend.
Ai ka bërë me dije se VV-ja e Albin Kurtit po vetërrëzohet, kurse PDK-ja dhe LDK-ja janë pa zgjidhje për momentin.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se dy partitë opozitare po e presin mrekullinë.
“Duhet me kuptu se kjo bllokadë nuk kalon aq lehtë sa kemi mendu. As nuk është e shkaktuar prej ligjeve e kushtetutës tonë. Burimin e ka në kokat dhe mentalitetin e liderëve politik. Bllokada e paraliza është politike. Mungesa e vullnetit dhe kulturës me bashkëpunu. Kokëfortësia dhe papjekuria politike dhe shtetërore, përfshi refuzimin me bë kompromise pozitive në të mirën e shtetit dhe publikut… këto janë thelbi i problemit. Thellimi i polarizimit dhe përçarjes mes partive politike gjithashtu. Kjo nuk ka të bëjë shumë me ligje e Gjykata Kushtetuese nuk mundet me i zgjidhë këto gjëra”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera, ai ka treguar se PDK-ja dhe LDK-ja do të duhej të ofronin zgjidhje për situatën aktuale.
“Në këto kushte, LVV do të vazhdojë të tkurret… e në anën tjetër, blloku i djathtë nuk do të arrijë, me këtë strategji, qasje e mendësi, me ofru alternativë dhe me bashkëpunu që të krijohet shumica e re parlamentare, rrjedhimisht, institucionet e reja. Mbi të gjitha, blloku i djathtë po dështon me ofru edhe zgjidhje të krizave të shumta sektoriale. Ata po i dënojnë dhe kanë mospajtime të thella rreth qeverisjes nga LVV (e majta), por nuk ofrojnë zgjidhje alternative”, ka shkruar ai.