back to top
Sunday, August 3, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditBBC shkruan për pajisjen e Dua Lipës me shtetësinë e Kosovës

BBC shkruan për pajisjen e Dua Lipës me shtetësinë e Kosovës

Të ngjajshme

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, është pajisur me shtetësinë e Republikës së Kosovës. E një lajm i tillë ka bërë bujë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku një artikull të posaçëm e ka publikuar edhe BBC, duke cituar emocionet e këngëtares që deklaroi se “ndjehet e plotësuar” pas këtij momenti të veçantë.

“Ndjehem sikur dy anët e mia më në fund janë bërë një. E dua këtë vend dhe kjo ka shumë domethënie për mua dhe familjen time”, është shprehur Lipa, citohet nga BBC.

Ceremonia u mbajt të premten dhe u organizua nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e vlerësoi artisten si “një nga figurat më ikonike kulturore në historinë e vendit”.

“Dua dhe Kosova gjithmonë kanë qenë të pandashme. Nga skenat më të mëdha botërore në zemrat e miliona njerëzve, ajo ka bartur rrëfimin tonë me forcë e krenari”, ka shkruar presidentja Osmani në rrjetin social X, duke ndarë fotografi nga ceremonia. Në një postim tjetër, ajo ka shtuar: “Thesari i Kosovës – mirë se erdhe në shtëpi”.

Sipas BBC-së, gjatë ceremonisë, Dua Lipa është pritur edhe nga një kor fëmijësh që interpretoi këngën e saj “Levitating”. I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili e ka cilësuar Lipën si krenari të përbashkët të Britanisë së Madhe dhe Kosovës.

Dua Lipa aktualisht ndodhet në Kosovë për të marrë pjesë në festivalin muzikor “Sunny Hill”, i cili është themeluar nga vetë ajo dhe babai i saj në vitin 2018. Ajo ishte performuesja kryesore e natës së parë të festivalit këtë të premte.

Këngëtarja është tashmë shtetase e tre vendeve – Britanisë së Madhe, Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo u pajis me shtetësinë shqiptare në vitin 2022 për kontributin e saj në promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Në vitin 2022, ajo gjithashtu është shpallur Ambasadore Nderi e Kosovës, titull që ajo e kishte quajtur “nder dhe privilegj për të përfaqësuar vendin tim në të gjithë botën”, raporton BBC.

Në një postim në rrjetet sociale pas performancës së saj në “Sunny Hill”, Lipa shkroi: “Të ndaj këtë natë me ju, në qytetin që më formësoi, e rrethuar me aq shumë energji, gëzim dhe krenari… është e vështirë të përshkruaj me fjalë se çfarë domethënie ka kjo për mua”.

- Advertisement -

Të Fundit