Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar si të organizuar incidentin që ndodhi në ambientet e lokalit “Home”, ku u përball me qytetarin Agim Pllashniku – person i njohur për publikun, i cili u arrestua më pas nga Policia.
Sipas Pacollit, sulmi nuk ishte spontan, por “i organizuar dhe i mirëkoordinuar”, ndërsa ngjarja është filmuar nga familjarë të Pllashnikut, konkretisht gruaja dhe vajza e tij. Deputetja thekson se videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është e manipuluar dhe shkurtuar, pasi nuk përfshin momentin e, siç thotë ajo, sulmit verbal dhe fizik ndaj saj dhe asistentit të saj.
“Videoja është prerë qëllimisht për të fshehur momentin kur agresori më sulmon mua dhe e godet asistentin tim, si dhe kur tenton të fusë dorën në çantën që mbante – një çantë për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë,” shkruan Pacolli.
Deputetja e VV-së pretendon se Pllashniku iu afrua me qëllime provokuese dhe kërcënuese. Ajo shton se në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë vetë Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë.
Pacolli kritikon ashpër edhe disa media, të cilat sipas saj po e paraqesin incidentin në mënyrë të shtrembëruar, duke e portretizuar Pllashnikun si viktimë dhe duke e cilësuar aktin si “heroik”.
“Ato portale janë kthyer në instrumente të dhunës së organizuar ndaj meje, duke përhapur qëllimisht urrejtje, kërcënime, shpifje dhe thirrje për sulme fizike e verbale. Këto veprime tashmë përbëjnë përgjegjësi penale,” thekson ajo.
Në fund të reagimit të saj, Pacolli deklaron se nuk do të frikësohet dhe as nuk do të tërhiqet nga angazhimi i saj politik.
“Unë nuk do të frikësohem. Nuk do të hesht. Nuk do të tërhiqem. Do të vazhdoj, sypatrembur dhe e palëkundur, rrugën time të drejtë,” përfundon deputetja e Vetëvendosjes.
Postimi i plotë i saj: