back to top
Wednesday, July 23, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditMbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon urgjentisht qasje në aktgjykimin konfidencial të...

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon urgjentisht qasje në aktgjykimin konfidencial të Apelit në rastin e Pjetër Shalës

Të ngjajshme

Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kanë kërkuar urgjentisht qasje në aktgjykimin konfidencial të Gjykatës së Apelit të Speciales ndaj Pjetër Shalës, me të cilin këtij të fundit iu ul dënimi nga 18 në 13 vjet burgim për krime lufte.

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve, në kërkesën e tyre të dorëzuar më 22 korrik 2025, me të cilën i janë drejtuar Panelit të Apelit që shpalli aktgjykimin ndaj Shalës, kanë thënë se ekziston një qëllim i ligjshëm hetimor për këtë kërkesë dhe se qasja në materialin e kërkuar është e nevojshme për mbrojtjen, për shkak se sipas tyre, do ta lehtësonte procesin gjyqësor në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtja ka thënë se kjo kërkesë nuk do të ndikojë në masat mbrojtëse në fuqi që janë të zbatueshme në këtë rast. Madje, ata kanë thënë se çdo përdorim i pjesëve konfidenciale të aktgjykimit do të paraqiten në mënyrë po ashtu konfidenciale.

Katër mbrojtjet, në kërkesën e tyre kanë thënë se krimet për të cilat Shala është akuzuar janë identike në aspektin kohor dhe gjeografik me ato për të cilat janë të akuzuar katërshja e UÇK-së.

Madje, ata thonë se të akuzuarit janë akuzuar nën përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale gjatë periudhës që përfshin marsin e 1998-ës deri në shtator të 1999-ës në kontekst të një konflikti të armatosur.

Andaj, mbrojtja thotë se qasja në aktgjykimin e Apelit ndaj Shalës është e nevojshme për ata, veçanërisht për përgatitjen e përmbledhjes përfundimtare të gjykimit.

Mbrojtja e ka nënvizuar edhe faktin që përfaqësuesi i viktimave ka thënë se disa çështje të rëndësishme për procedurat në rastin ndaj katërshes së UÇK-së janë zgjidhur në aktgjykimin e Apelit kundër Shalës.

“Mbrojtja tashmë ka qasje në Aktgjykimin dhe Dënimin konfidencial të shkallës së parë. Prandaj, nuk ekziston asnjë arsye e ligjshme që ndalon qasjen në versionin konfidencial të aktgjykimit të Apelit”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes për qasje në versionin konfidencial të aktgjykimit të Apelit ndaj Pjetër Shalës.

Ndryshe, një kërkesë të ngjashme, mbrojtja e kishte dorëzuar para trupit gjykues në këtë rast më 17 korrik 2025, por, trupi gjykues e kishte udhëzuar mbrojtjen që një kërkesë të tillë ta dorëzonte tek Paneli i Apelit i cili e ka shpallur aktgjykimin.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130 e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë me 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore.

Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan me 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitarëve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

- Advertisement -

Të Fundit