Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar pasojat juridike nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor. Krahas kësaj, ajo ka kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme.
Osmani theksoi se kjo masë synon të parandalojë shkeljen e Kushtetutës dhe pezullimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar rëndësinë e sigurisë juridike.
“Kërkesa për masë të përkohshme është në interes publik, sepse është interes publik të kemi një Kuvend që krijon parashikueshmëri juridike. Duhet ta dimë nëse Kuvendi dhe ligjet që miraton kanë siguri juridike. Nëse miratohet kjo kërkesë, afati kushtetues nuk do të rrjedhë gjatë kësaj periudhe. Duke pasur parasysh se po rrezikohet rendi kushtetues, mbetem me shpresë se Gjykata do ta trajtojë këtë temë me prioritet. Nuk mund të paragjykoj se sa mund t’ju marrë kohë,” tha Osmani.
Presidentja shtoi se nëse miratohet masa e përkohshme, atëherë nuk do të ketë nevojë të mbahen seancat konstituive derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të plotë për këtë çështje.