Vajzat e KV Skenderajt janë damari dhe arteria kryesore e sportit të Skenderajt. Ato me qindra raste na bën që zemrat tona të dridhen në emocione nga luftrat e tyre për tituj që do të kthenin syte e sportdashësve drejt Skenderajt.
KV Skenderaj është një histori plot pasion e mbushur me sakrifica dhe triumfe, janë këto epitete që Klubin e Volejbollit të femrave “KV Skenderaj” e bëjn të quhet “Krenaria e Sportit të Skenderajt”, shkruan drenicapress.org
Nga themelimi tek arritjet e mëdha
Klubi i Volejbollit të femrave “Skenderaj” ka një histori të gjatë dhe të pasur, e cila nis që në vitin 1976, kur u themelua me emrin “Gjimnazisti” nga profesori i nderuar Xhafer Murtezaj. Megjithatë, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, pas dy vitesh klubi u detyrua të ndërpriste garat kampionale.
Në vitet e para të funksionimit, vëmendja kryesore ishte te volejbolli i meshkujve, ku skuadra e qytetit garonte në Ligën e Dytë Federale, duke shënuar suksese të rëndësishme. Fatkeqësisht, në vitet ‘90, si pasojë e masave të dhunshme të regjimit serb, të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë u pezulluan.
Rikthimi pas luftës dhe rindërtimi i klubit të vajzave KV Skenderaj
Pas përfundimit të luftës, në vitin 2000, profesori Xhafer Murtezaj, bashkë me kolegët e tij Haki Beqiri dhe Ismet Valiu, ndërmorën iniciativën për të rikthyer në jetë volejbollin në Skenderaj. Fillimisht, ekipi i vajzave u stërvit në poligonin e Fabrikës së Lodrave (sot Qendra Tregtare Arijeta), ndërsa më vonë aktivitetet u zhvilluan në palestrën e Gjimnazit “Hamëz Jashari”.
Gjatë kësaj periudhe, klubi hasi vështirësi të shumta financiare, duke çuar në rënien e tij nga Superliga e Kosovës. Kjo situatë çoi në kërkesën e profesorit Murtezaj për të fuzionuar klubin me KV Obiliqin. Megjithatë, në vitin 2005, një kryesi e re mori drejtimin e klubit, me trajnerin Agron Istogu dhe ndihmësin Ylli Kadriu. Ky ishte një moment vendimtar, pasi KV Skenderaj u rikthye në Superligë, duke mos humbur asnjë set gjatë rrugës.
Sukseset dhe Lufta për Tituj
Në vitin 2006-2007, me një kryesi të re nën drejtimin e kryetarit Bashkim Jashari (sot komandant i Forcave të Armatosura të Kosovës), dhe donatorët kryesorë Afrim Durmishi dhe Musa Gashi, klubi filloi të rritej në cilësi.
Në vitin 2009, për herë të parë në histori, KV Skenderaj arriti të hynte në fazën e play-off-it, ndërsa në vitin 2010 u bë finalist, duke humbur ngushtë ndaj KV Prishtina me rezultat 3-2 dhe duke u shpallur nënkampion i Kosovës.
Nga viti 2009 e deri më sot, klubi ka qenë gjithmonë mes katër skuadrave më të mira në Kosovë. Në vitin 2013, trajneri Agron Istogu u zgjodh nënkryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, ndërsa ekipi vazhdoi të luftonte për trofe nën drejtimin e Ylli Kadriut.
Në vitin 2023-2024 arrit të shpallet nënkampion i Kosovës, e në vitin fitoi Kupën e Pavarësisë mes një konkurence të fortë, ku në garë ishin ekipet më të mira të Kosovës dhe Shqipërisë, përcjellë DRENICA PRESS.
Triumfet në Arenën Kombëtare dhe Evropiane
Falë mbështetjes së donatorëve, klubi arriti sukseset më të mëdha të tij. Në vitin 2014, KV Skenderaj fitoi Kupën e Kosovës, ndërsa në vitin 2015 arriti kulmin e suksesit, duke u shpallur kampion i Kosovës për herë të parë në histori dhe duke siguruar një vend në garat evropiane të CEV-it. Klubi debutoi në Tel Aviv të Izraelit, duke shënuar një arritje historike për volejbollin kosovar.
Në vitin 2016, si nënkampion i Kosovës, KV Skenderaj mori pjesë sërish në garat evropiane, kësaj here në Budapest, Hungari.
Sfidat Financiare dhe Rikthimi në Majat e Volejbollit Kosovar
Periudha 2016-2018 nuk ishte e lehtë për klubin, pasi përballoi vështirësi financiare, por falë mbështetjes së vazhdueshme, ekipi arriti të triumfonte sërish, duke fituar Kupën e Federatës në vitin 2018 dhe Kupën e Kosovës në vitin 2019.
Që nga viti 2014, KV Skenderaj ka qenë gjithmonë pretendent për titull dhe një emër i rëndësishëm në volejbollin kosovar.
Epoka e Re dhe Përfshirja në Ligën Kosovë-Shqipëri
Sezoni 2022-2023 shënoi një moment historik për klubin, pasi për herë të parë u organizua si kurrë më parë, falë ndërtimit të Pallatit të Sportit në Skenderaj. Kjo i mundësoi ekipit të luante për herë të parë në play-off në qytetin e vet.
Një tjetër risi ishte pjesëmarrja në ligën e përbashkët Kosovë-Shqipëri, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ku KV Skenderaj arriti në finale pas një sezoni të shkëlqyer. Edhe pse humbi finalen ndaj KV Skënderbeu nga Korça, ishte një garë e paharrueshme me një organizim fenomenal dhe një atmosferë të zjarrtë në palestër.
Në finalen e Superligës së Kosovës, Skenderaj përjetoi një dramë të madhe, duke udhëhequr serinë e finales 2-0, por më pas duke humbur tri ndeshjet e radhës dhe duke u shpallur sërish nënkampion.
Vajzat e KV Skenderajt me pasionin, talentin dhe forcën e madhe bën këtë klub me një trashëqimi të madhe
KV Skenderaj është një nga klubet më të rëndësishme të volejbollit në Kosovë. Nga një ekip i vogël me sfida të mëdha, ai është shndërruar në një forcë dominuese, duke marrë pjesë në garat evropiane dhe duke fituar disa nga titujt më prestigjiozë të vendit.
Me një histori të pasur dhe një bazë të fortë mbështetëse, KV Skenderaj do të vazhdojë të jetë një emër i rëndësishëm në sportin kosovar dhe të frymëzojë brezat e rinj të volejbollisteve në Skenderaj dhe më gjerë, shkruan /DRENICA PRESS/