Mbrëmë në orët e vona, në fshatin Gradicë të Drenasit ka ndodhur një tragjedi.
Si pasojë e një mosmarrëveshjeje është qëlluar një i mitur i cili nga plagët e marra ka gjetur vdekjen, ndërsa babai i tij është dërguar në QKUK në gjendje kritike për jetën.
Drejtori i Klinikës së Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka ka thënë se pacienti në fjalë ka lëndime të rënda në kokë, më konkretisht në indin e trurit.
“Pacienti është sjellë mbrëmë pasi që ka marrë lëndime në regjionin e kokës me armë zjarri. Është sjellë në Qendrën Emergjente dhe janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, është vendosur për intervenim kirurgjik, i cili është kryer nga ana e neurokirurgut mbrëmë. Pacienti ka lëndime shumë serioze në indin e trurit, gjegjësisht në kokën e tij.Ka lëndime shumë të rënda, vazhdon të qëndrojë në gjumë me barna dhe i lidhur për ventilatorë”, ka shtuar tutje ai për Indeksonline.
Rastin e kanë konfimuar për “Gazeta Blic” edhe nga Policia e Kosovës.
“Vritet një person në Gradicë të Drenasit, një tjetër mbetet i plagosur Rreth orës 20:30 policia ka pranuar informatën për një vrasje në fshatin Gradicë të Drenasit. Menjëherë pas marrjes së informatës të gjitha njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në të dhënat e deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe plagosjes me armë zjarri, të ndodhur në një pyll në fshatin e sipërshënuar. Në këtë rast plagë nga arma e zjarrit kanë marrë dy persona (meshkuj). Njëri nga personat e plagosur nuk ka përballuar plagët dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF Drenas,ndërsa i plagosuri i dytë, është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë po vazhdojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarje“, ka thënë Flora Ahmeti për Gazeta Blic.