Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial i familjes Jashari në Prekaz, ndërsa ka thënë se sot në 13-vjetorin e Pavarësisë me mendje janë te ish-eprorët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Sot së bashku me kolegët e PDK-së nderuam sakrificën e heroizmin e familjes Jashari. Një sakrificë që lindi shpresën e projektoi të ardhmen, për një Kosovë të lirë, të pavarur e sovrane. Familja Jashari është sinonim i çlirimit e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë 13-vjetor të Pavarësisë me mendje e zemër jemi në Hagë, ku janë shokë tanë, që po mbahen në mënyrë të padrejtë atje. Ata do të kthehen fitimtarë e faqebardhë, e po bëjnë një sakrificë të re sublime, për të treguar se nuk mund të rishkruhet historia e drejtë e luftës tonë për çlirim, liri e pavarësi. Natyrisht se Pavarësia e Kosovës para 13 vjetësh ka bërë Ballkanin më të drejtë e paqësor, por mosanëtarësimi i saj në OKB e bën edhe mëtutje të pasigurtë”, ka thënë Hoxhaj.
“Sot dua që nga Prekazi heroik t’ju uroj Pavarësinë e Kosovës, fillimisht presidentit Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi e shumë bashkëluftarëve të tyre që po qëndrojnë në mënyrë të padrejtë në Hagë, e që presim të kthehen fitimtarë e faqebardhë”.