Shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu nga ana e Kryeministrit Albin Kurti ka sjellë një situatë të re, të papritur dhe të paparashikuar në skenën politike kosovare.
Menjëherë pas këtij vendimi Kryesia e LDK-së po mban një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me vendimin se a do të dalin apo jo nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
Njohësi i çështjeve politike Nexhmedin Spahiu në një prononcim për “Gazeta Blic” ka theksuar se krejt çka pritet të ndodhë tani është në dorën e Isa Mustafës.
Spahiu tutje thotë se nga Veliu dhe përkrahësit e tij do të kërkohet me ngulm largimi nga koalicioni.
“Krejt tani është në dorën e Isa Mustafës nëse do të prishet koalicioni apo jo . Sigurisht në mbledhjen e Kryesisë Agim Veliu me përkrahësit e tij do të insistojnë që të prishet ky koalicion. Por unë mendoj se Albin Kurti do të jetë edhe disa kohë kryeministër në vend për shkak të situatës së krijuar edhe me Epideminë e Koronavirusit” ka thënë Spahiu për Gazeta Blic.
Edhe analisti politik Krenar Shala nuk po e sheh si opsion zgjedhjet.
Ai thotë se vendi po përballet me një situatë të jashtëzakonshme për shkak të Koronavirusit dhe zgjedhjet nuk mund të mbahen në këtë kohë.
“Jo, vendi, për shkak të një njeriu nuk mund të shkoj në zgjedhje, e aq ma pak kur ky njeri ka qenë delja e zezë e qeverisë. Një njeri që tentonte ta cenonte funksionimin e qeverisë. Arsyeja tjetër është që tashmë vendi po përballet me pandeminë dhe zgjedhjet nuk mund të mbahen në këtë kohë”.
Kujtojmë se pak para mbledhjes së Kryesisë, kryetari i LDK-së Mustafa deklaroi mospajtimin e tij me kryeministrin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut.
Mustafa deklaroi se për një vendim të tillë nuk ishte konsultuar nga Kurti ani pse në bazë të marrëveshjes ishte e specifikuar diçka e tillë.