Ka shkuar në 15 numri i të prekurve me koronavirus.
Instituti i Shëndetësisë publike ka dhënë informacione me dy rastet e fundit që kanë rezultuar pozitive, përcjellë Indeksonline.
Nga data 08.02.2020 deri me 16.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 263 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej pesëmbëdhjetë prej tyre kanë rezultuar pozitive.
Krahas trembëdhjetë rasteve pozitive të deritashme, sot me 16.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me RT PCR janë konfirmuar edhe dy raste të reja pozitive për virusin SARS-CoV-2: Dy rastet janë dy të fejuar të ardhur nga Londra sot me datë 16.03.2020 me fluturim direkt Londër -Prishtinë. Të dytë kanë qëndruar në Londër nga data 04 mars deri me datën 16.03.2020, dhe sot janë detektuar nga shërbimet shëndetësore të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe të përcjellur me auto ambulancë për në Klinikën Infektive-SHSKUK. Rastet janë me vendqëndrim nga fshati Korishë-Prizren dhe tjetri nga komuna e Obiliqit. Njeri i gjinisë mashkull dhe tjetri rast i gjinisë femër, të dytë të moshës 26 vjeçare.
Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve elektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 16 mars 2020 sipas ECDC, janë raportuar gjithsej 167.414 raste të COVID-19 me 6.507 raste të vdekjes, përderisa në BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar gjithsej 51.771 raste të COVID-19 me 2.316 raste të vdekjes: Itali (1.811), Spanjë (288), Francë (127), Mbretëri të Bashkuar (35), Gjermani (12), Belgjikë (4), Greqi (4), (3), Poloni (3), Bullgari (2), Irlandë (2), Austri (1), Danimarkë (1), Hungari (1), Luksemburg (1), Norvegji (1) dhe Shqipëri (1).
Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë
Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.