Zëvendësministër në Ministrinë e Integrimeve Evropiane , Taulant Kryeziu, ka thënë se në udhëheqjen e dialogut me Serbinë, vetëm kryeministrit i takon e drejta.
Ai në Facebook ka shkruar se sipas Kushtetutës dhe ligjit kryeministri e ka këtë të drejtë, ndërsa presidentit nuk i takon kjo e drejtë.
Postimi i plotë:
Vetëm Kryeministri Kurti mund ta udhëheq dialogun me Serbinë. Kjo nuk është punë qejfi, por punë Kushtetute dhe ligji.
Presidenti i vendit nuk i takon e drejta për të dialoguar për çështje qe prekin sovranitetin nacional dhe integritetin territorial, por vetëm ekzekutivit të vendit, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Kuvendit për aq sa dialogu prek çështjet nga neni 18.1 dhe neni 20 i Kushtetutës.
Presidenti, e ka thënë Gjykata Kushtetuese ne aktgjykimin e saj KO43/19, eventualisht mund të konsultohet, e konsultimi, siç dihet, nuk ka një efekt juridik por më shumë kurtuazie për të respektuar njërin prej organeve ceremoniale dhe që simbolizon Shtetin e Kosovës në aspektin krejt formal e ceremonial.
Kosova ka një demokraci kushtetuese parlamentare, ku pushteti buron nga populli, i cili ngelet sovran çdoherë, dhe ushtrohet përmes organeve përfaqësuese dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ku ka nevojë.
Cilësia e dytë e kësaj demokracie, të cilën e ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, është se demokracia jonë nuk është demokraci popullore e shumicës, por demokraci kushtetuese ku kuvendi si organi kryesor përfaqësues i popullit shërben si zinxhiri legjitimes i krejt organeve tjera, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthorët.
Cilësia e tretë e demokracisë kushtetuese kosovare është ndarja e balancimi i pushteteve, ku secili pushtet i ka kompetencat e veta kushtetuese, të cilat balancojnë njëra tjetrën, dhe ku asnjë organ nuk është më i lartë dhe më suprem se tjetri. Vetëm Kushtetuta është supreme, asnjëherë asnjë organ tjetër dhe asnjë vullnet politik i shprehur jashtë kuadrit kushtetues.