Komuna e Podujevës, shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryetarit, Agim Veliu, i cili u emërua Ministër i Punëve të Brendshme.
Gazeta Blic, ka mësuar disa nga kandidatët potencialë, për t’i hyrë garës për t’u zgjedhur në krye të Komunës së Podujevës.
Për shkak që Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk kanë vendosur definitivisht se kush do t’i prijë fushatës për të qenë në krye të Komunës, Gazeta Blic, do ju sjellë disa nga emrat më të përfolur për t’i hyrë kësaj gare.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, emrat më të përfolur, janë ai i Ekrem Hysenit dhe Vezir Januzit.
Hyseni aktualisht është zgjedhur deputet i Kuvendit, ndërsa Januzi, udhëheq me Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Podujevës.
Ekrem Hyseni, aktualisht deputet i Kuvendit

Vezir Januzi, Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Podujevës
Ditëve në vijim, dega e LDK-së në Llap, pritet të mbajë mbledhjen e saj, për të vendosur përfundimisht, se kush do të jetë kandidat i tyre në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.
Por, një opsion i mundshëm sipas burimeve të Gazetës Blic, është edhe kandidimi i nënkryetarit aktual të Podujevës, Nexhmi Rudari.
Nexhmi Rudari, nënkryetar aktual i Podujevës
Ndërsa, nga Lëvizja Vetëvendosje, janë përmendur dy emra, ai i Shpejtim Bulliqit dhe Bajram Ajetit.
Bulliqi është deputet i Kuvendit, kurse Bajram Ajeti, aktualisht është kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.
Shpejtim Bulliqi, deputet i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje

Bajram Ajeti, Kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes në Podujevë
Nga Partia Demokratike e Kosovës, me shumë gjasë, kandidat do të jetë kryetari i degës së kësaj partie, Naim Fetahu.
Tek partitë tjera, gjërat duket se janë më të qarta. Nisma Socialdemokrate, pritet që edhe kësaj gare të futet me Xhemajl Hasanin, i cili ishte kandidat edhe në zgjedhjet e kaluara.

Xhemajl Hasani, kryetar i Nismës Socialdemokrate, në Podujevë
Gjithashtu, Partia Fjala, me shumë gjasë do të rikandidojë me Xhevdet Malokun.
Xhevdet Maloku, kryetar i Partisë Fjala, dega Podujevë
E, nga AAK, pritet ta japë kandidaten e parë grua në Podujevë. Bëhet fjalë për ish-zyrtaren e LDK-së, tani në partinë e Haradinajt, Mrika Thaçin.
Mrika Thaçi, kryetare e AAK-së në Podujevë
Zgjedhjet e fundit lokale në Podujevë, ishin mbajtur në nëntor të vitit 2017.
Aty sërish fitues i zgjedhjeve, kishte dalur Agim Veliu, i cili udhëhiqte me Podujevën, në mandatin e pestë radhazi.
Mirëpo, ai do të jap dorëheqje nga ky post, pasi që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.
Sipas ligjit, në momentin që e pranon pozitën e ministrit, Veliu duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Podujevës dhe ky qytet brenda 45 ditësh mban zgjedhjet e reja ku zgjidhet kryetari i ri.
Ligji nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale tregon se kur përfundon mandati i kryetarit të komunës.