Një shtetas i Kosovës me qëndrim në Kantonin St.Gallen, baba i pesë fëmijëve, me vendimin e Gjykatës Federale duhet të lëshojë Zvicrën. Gruaja dhe fëmijët e tij kanë pasaportat zvicerane, ndërsa ai jo, shkruan sda.ch.
Arsyet që shtynë shkallën më të lartë të gjyqësisë së Zvicrës për të marrë këtë vendim, janë deliktet e shumta që ka kryer kosovari dhe shfrytëzimi i ndihmës sociale, borxhet ndaj shtetit etj., transmeton albinfo.ch. Sipas gjykatës, pesha e shkeljeve që ka kryer ai peshon më tepër se e drejta për jetë të rregullt familjare dhe konventa për të drejtat e fëmijës, që e siguron të drejtën në fjalë.
Personi, sot 32-vjeçar, nga viti 2005 kishte kryer një delikt dhe ishte dënuar me moslejim për të hyrë në Zvicër. Megjithatë ai ka hyrë në mënyrë të përsëritur. Pas martesës me një zvicerane, ai mori edhe lejen e qëndrimit në Zvicër. Por, nga ajo kohë ai nuk ka punuar askund dhe veç kësaj është dënuar disa herë për delikte në komunikacion.
Personi në fjalë kishte ardhur në Zvicër në vitin 2000, në moshën 13-vjeçare. Prindërit e tij kishin kërkuar azil, por kërkesa u ishte refuzuar, përcjell albinfo.ch. Ndërkohë gjithë familjes i ishte dhënë statusi i qëndrimit të përkohshëm (Viza F), në vitin 2008 atij i ishte pezulluar kjo leje qëndrimi, pasi që kishte bërë shkelje ligji. Me atë rast i ishte shqiptuar edhe masa e ndalimit të hyrjes në Zvicër, masë kjo që ai e kishte shkelur disa herë.