Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është duke i shqyrtuar ankesat e tri subjekteve politike LDK, PDK dhe koalicioni NISMA-AKR-PD për rinumërim të votave në nivel vendi.
Kryesues i sekretariatit të PZAP-s, Mulë Desku i tha “Gazeta Blic” se do të dalin me një vendim lidhur me ankesat në fjalë brenda afatit ligjor prej 72 orëve.
“Që nga momenti i pranimit të ankesave ka filluar shqyrtimi i tyre. Normalisht që këto ankesa do të shqyrtohen me prioritet më të lartë pasi që bëhet fjalë për rinumërim të votave dhe është interesi i qytetarëve. Brenda afatit ligjore prej 72 orësh PZAP-ja do të dalë me një vendim”, ka deklaruar ai.
“Gazeta Blic” ka arritur të sigurojë ankesat e këtyre subjekteve politike dhe ato e mbështesin kërkesën e tyre në një gabim në shtypjen e formularëve ku plotësohen rezultatet.
Sipas ankesave në formularë figurojnë vetëm 24 rubrika ndonëse në garë janë 25 subjekte politike.
Këto subjekte politike i kanë bashkuar ankesave të tyre një numër të madh të formularëve nga vendvotimet e ndryshme të Kosovës për të argumentuar pretendimet e tyre. Nuk dihet se në sa raste është shprehur kjo dukuri.