back to top
Wednesday, January 28, 2026
BallinaShqiptare"Mjekja" kosovare tash merret me “promovim” të investimeve

“Mjekja” kosovare tash merret me “promovim” të investimeve

Të ngjajshme

Zvicra njihet si një prej shteteve ku jetojnë një numër i madh i shqiptarëve, të cilët atje kanë arritur të integrohen mirë. Por, imazhi i tyre brenda komunitetit zviceran ka filluar të pësojë krizë për shkak të një rendi skandalesh në të cilat dyshohet se janë përfshirë disa nga ata.

Ende i freskët është rasti i “mjekes” shqiptare I.K. e cila sipas raportimeve të mediave zvicerane dyshohet se ka falsifikuar diplomën dhe ka provuar të ushtrojë profesionin e mjekes në Zvicër. Kosovarja I.K. nuk është ndalur me kaq. Ajo dyshohet se ka zhvatur qytetarë në Zvicër, duke ju marrë para hua e duke mos ua kthyer. Një ndër ta është edhe biznesmeni austriak Georg G. (emër ky i ndryshuar nga redaksia e gazetës zvicerane “20 minuten”), të cilin dyshohet se I.K. e ka “lehtësuar” për më shumë se 200 mijë franga zvicerane. Ditë më parë, siç shihet edhe nga fotografitë të cilat i ka siguruar Literal Media, austriaku i dëmtuar, tani është paraqitur si investitor potencial në Kosovë dhe ka mbajtur një prezantim të planeve të tij investuese. Në këtë aktivitet, ai është ndihmuar nga dy kosovarët, “mjekja” me inicialet I.K. dhe biznesmeni, Naim Dedushaj, i cili udhëheq me zyrën e rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Diasporës.

Fakti që investitori austriak nga Zvicra dyshohet të jetë shndërruar nga “huadhënësi” në bashkëpunëtor të gruas kosovare I.K, e cila pak kohë më parë është liruar nga paraburgimi në Zvicër, duket se nuk i ka penguar Dedushajt për ta prezantuar në Prishtinë si një investitor serioz. Afaristi Dedushaj pati deklaruar më parë në një intervistë për gazetën “Zëri” se ka lëvizje pozitive sa i përket bashkëpunimit të zyrës që ai drejton dhe bizneseve nëpër botë, duke theksuar këtu veçanërisht Zvicrën dhe Austrinë.

“Ka shkëmbim me bizneseve të mëdha në Gjermani, Austri, Zvicër, SHBA, Skandinavi, Londër si rrjet i veçantë por edhe i përgjithshëm. P.sh në Austri kanë filluar disa lëvizje pozitive, po përmendi Austrinë por ka edhe vende tjera të të bërit biznes së bashku”, pati thënë Dedushaj.

Për informata më të detajuara lidhur me rastin e manipulimit të dyshuar me invesitorin austriak nga Zvicra, Literal Media ka provuar të kontaktoj me Dedushajn, por që ky i fundit ka rezultuar i paarritshëm.

Ndërkaq, për kosovaren I.K., ky nuk është skandali i vetëm në të cilin është përfshirë ajo sepse jo shumë kohë më parë ballinat e mediave zvicerane atë e nxorën si një mjeke mashtruese. I.K thuhet se pati huazuar para në shuma të mëdha, në mes tjerash edhe nga investitori austriak Georg G.*, nën arsyetimin se i duheshin për medikamente dhe se do t’i kthente shpejt paratë e huazuara. Në rastin e austriakut, kjo shifër kapte 200 mijë franga.

Raportimet në mediat zvicerane ishin shumë prezente. “Policia arreston doktoreshën e rreme (“Polizei nimmt Fake-Ärztin fest”) thotë një titull nga mediumi zviceran.

Kujtojmë se listës së mashtrimeve dhe skandaleve në Zvicër iu bashkua edhe reperja, Loredana Zefi e cila u akuzua se kishte mashtruar një çift zviceran duke u paraqitur si avokate dhe duke përfituar kështu materialisht nga ta.

Të Fundit

Sport

ShowBiz