Javë më parë Komuna e Skenderajt në një njoftim të saj, pati lajmëruar banorët se nga 21 marsi, komuna do t’i mbulojë shpenzimet e varrimit për banorët e kësaj komune, shkruan DrenicaPress
Por sipas kryetarit të Degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, kjo vendim ende nuk ka gjetur zbatim në Skenderaj.
Mehani i cili është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Skenderajt, ka thënë se Komuna duhet ta mbajë zotimin e jo të gjejë justifikime.
Lexojeni të plotë reagimin Hysni Mehanit:
“Premto e fjalë mos mbajë, kështu në fron do ngadhnosh.” – Dante tek Ferri.
Pushtetarët tanë si duket nga gjithe vepra e Dantes kanë shkoqitur këtë mesim. Madje pa e lexuar fare.
Ngjashëm po vepron edhe Komuna e Skënderajt me zotimin se do t’i mbulojë shpenzimet e varrimit.
U miratua unanimisht. Krejt çka mbeti është realizimi.
Ishte data 21 mars kur u premtua se nga sot komuna hjek shpenzimet për varrim. Sot është 12 prill, e ajo “nga sot” nuk ndodhi ende.
Zyrtarët komunal do duhej t’i parashikonin afatet ligjore e të mos jepnin fjalë të ngutshme. Sidomos për raste të tilla. Sidomos për një vendim që edhe ashtu është shumë i vonuar. Komunat tjera ka kohë që kanë filluar me mbulimin e shpenzimeve për varrim.
Nga 21 marsi komuna publikisht ka premtuar për mbulimin e shpenzimeve. Tash duhet ta mbajë zotimin e jo të gjejë justifikime për ta zvarritur zbatimin e këtij vendimi.

