Është vetëm 23 vjeçe, por ka fatin të jetë këshilltare politike në kabinetin e kryeministrit Haradinaj, raporton Syri.net Kosova.
Jeta luksoze, veshjet firmato, çantat, udhëtimet e herëpashershme, drekat e shtrenjta, komoditeti, pra shpenzimet enorme janë vetëm disa gjëra ‘të vogla’ që e karakterizojnë jetën e Diellza Hotit, që gëzon postin e këshilltares politike për çështje të rinisë në Qeverinë e Kosovës.
Diellza është këshilltarja më e re e kryeministrit, ndërsa nuk heziton jetën e saj ta shfaqë gjatë gjithë kohës përmes fotografive që i publikon në rrjetet sociale, ku të tërheq vëmendjen luksi i jashtëzakonshëm, që vetëm pasanikëve mund t’u shkojë për shtat.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u vu shumë herë në qendër të kritikave nga mediat për numrin e lartë të zyrtarëve në Qeverinë e Kosovës, por ajo e cila ka rënë shumë në sy kohëve të fundit është 23 vjeçarja e quajtur Diellza Hoti.
Jeta luksoze e saj nuk do shumë fjalë, mjafton të hysh në rrjetet e saja sociale dhe imazhet e shpërndara flasin vet…
Mjafton të bësh një kërkim në internet dhe të shohësh çmimet e çantave e aksesorëve të ndryshëm që i “reklamon” këshilltarja e Ramush Haradinajt.
Vetëm një çantë firmato kushton pesë-gjashtë mijë dollarë.
“Qeveria e luksit në vendin e varfër”.
Por një zyrtare e lartë qeveritare që posedon pagë në shumë prej 1200 eurove nga Qeveria e Kosovës, si arrin t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e kësaj jete luksoze, përderisa pjesa tjetër e popullit jeton në një mjerim të skajshëm e që e vetmja gjë që duan është të ikin masivisht nga ky vend?!
Kjo është padyshim pyetja e parë që të bie ndërmend sapo të analizosh luksin e saj.
Edhe pse Syri.net Kosova, tentoi për disa ditë ta ketë një deklaratë të Diellzës, për të pyetur për luksin e saj, megjithatë kontakti me të, ishte i pamundur.
Zyrtarë si Diellza që jetojnë me rroga shteti apo familjarë të tyre, nuk ngurrojnë të postojnë në rrjete sociale, foto të udhëtimeve të shtrenjta, hoteleve luksoze apo VIP-zonave ku akomodohen, si të ishin familje sheikësh.
Por, këta në fakt, janë bërë si sheikët e Kosovës, duke abuzuar me buxhetin dhe pasurinë publike.
Raste të tilla, të zyrtarëve shtetërorë që e publikojnë vetë tërë këtë luks të dyshimtë dhe të paarsyetueshëm me të ardhurat që marrin, do të duhej të tërhiqnin vëmendjen e prokurorisë. Por, prokurorët kosovarë, edhe pse paguhen mirë, kur është fjala për të hetuar origjinën e pasurimit të qeveritarëve, nuk ndërmarrin asnjë hap.
Sido që të jetë një qeveri me mendësi të tillë, me komoditetin e jetën luksoze, me pasuri që nuk ia dijnë fundin, natyrshëm nuk mund të mendojë për qytetarin e varfër, të pastrehë, të papunë e pa asnjë perspektivë.
E si të mos ikin të rinjtë nga Kosova, kur shohin një studente që “këshillon” për rininë kryeministrin në anën tjetër bën jetë pasanikësh, ndërsa mijëra djem e vajza të talentuar, enden me diploma në xhep në kërkim të një vendi pune. /Syri.net Kosova



