Ismajl Zeqiri, vëllai i taksistit nga Skenderaj, Ilir Zeqirit, është shprehur i tronditur për vrasjen e vëllait të tij. Ai ka thënë se Iliri ka qenë djalë i urtë dhe i sjellshëm.
Vëllai i të ndjerit ka treguar se Ilir Zeqiri ishte larguar nga shtëpia në orën 4 të pasdites të së hënës për të punuar me veturën e tij si taksist.
Sipas tij, Iliri nuk kishte pasur problem me askënd dhe nuk kanë asnjë dyshim se kush mund ta ketë kryer vrasjen e të ndjerit.
“Nuk kemi dyshime. Nuk mund të them për dikënd. Mirëpo një gjë e di, që vëllai im ka qenë i sjellshëm i urtë dhe nuk i ka pasur borxh askujt. Megjithatë, rasti ndodhi dhe na ka tronditur”, ka thënë ai për Kohavision.
Por, i ndjeri vitin e kaluar kishte dëshmuar në rastin e vrasjes së një polici në Skënderaj.
Zeqiri, më 31 janar 2018, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kishte treguar atë që kishte parë në ditën kur ishe vrarë Valon Goxhuli, në shtator të vitit 2015.
Disa muaj pas dëshmisë së Zeqirit, Maliq Birinxhiku u dënua me 21 vjet burgim për vrasjen e Goxhulit.
Ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ishte i pari që kërkoi hetime të plota për vrasjen e ish-veteranit të UÇK-së.