Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një vizitë pune në Komunën e Gjilanit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune Lutfi Haziri. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, i shoqëruar edhe nga një pjesë e delegacionit qeveritar, tha se gjatë vizitës sot në Gjilan të cilin e filloi me kryetarin Haziri, i biseduan disa tema, disa prej të cilave tha se kanë avancuar.
Kryeministri Haradinaj tha se Gjilanit ia kanë kthyer vëmendjen e duhur dhe me dinamikën e re qeverisëse po i japin jetë shumë projekteve për këtë anë.
“Impianti i ujërave të zeza shpejt do të nis fazën e implementimit dhe Qeveria do të jetë garancë e këtij investimi të rëndësishëm për këtë qytet. Punimet në autorrugët Gjilan – Prishtinë dhe Gjilan – Kllokot janë duke vazhduar në dinamikën e duhur derisa objekti i ri policor, Teatri i Qytetit dhe politikat e reja të subvencionimit të bimës që do të hap rrugë zhvillimit ekonomik lokal, janë punë të tjera që i morëm përsipër së bashku me Kryetarin Lutfi Haziri”, tha kryeministri Haradinaj.
Sipas tij, Gjilani tashmë ka fondin prej 50 milionë euro për investime në kornizën afatmesme, që përfshinë 5 sektorë të rëndësishëm dhe bashkëveprimi për temat që lidhen me zhvillimin ekonomik do të jetë proces i vazhdueshëm..
Njëkohësisht, kryeministri Haradinaj theksoi se për të gjitha temat që lidhen me zhvillimin ekonomik duhet të bashkëveprojnë edhe në nivelin nacional dhe komunal.
“Gjithë qëllimi është që përveç punëve të qarta, detyra që kemi marrë prej qytetarëve në zbatim të projekteve për një jetë më të mirë e njëkohësisht të jemi afër prodhuesve sipërmarrësve që të shënohen rritje të vendeve të punës, rritje e zhvillimit ekonomik”, deklaroi kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për siç e quajti ai, rikthimin në Gjilan, duke shtuar se kjo është vizita e dytë në Komunë dhe e treta në Gjilan në cilësinë e kryeministrit.
“ Jemi në proces të zgjidhjes së një numri të madh të çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e Komunës, duke i zgjidhur problemet nga më të ndryshmet”, tha Haziri.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj, do ta vazhdojë vizitën e punës edhe në shumë biznese të kësaj ane.


