Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë se mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit nuk kanë filluar me taksën, por shumë më herët.
“Mendoj që përplasjet e brendshme apo nëse jo përplasjet, së paku debatet e brendshme, kanë ekzistuar edhe më herët por nuk kanë filluar me taksën, me taksën kanë arritur një nivel tjetër”.
“Debatet e brendshme kanë filluar me pozicionimet e partive brenda koalicionit rreth idesë të shkëmbimit të territoreve, dialogut me Serbinë – rreth çështjes se a duhet të bisedohet për shkëmbim, korrigjim apo ndarje të Kosovës apo jo”.
“Këtu kanë filluar debatet e brendshme. PDK-ja përkundër faktit që publikisht mban pozicionin që mban, ndikimi i presidentit aktual të vendit [Hashim Thaçi] nuk mund të injorohet brenda PDK-së dhe kjo mendoj që ka qenë arsyeja e fillimit të debateve”.
Sherifi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se taksa më shumë është si veprim mbrojtës në raport me veprimet e Serbisë kundër Kosovës.
“Kosova ka vepruar përmes taksës si reaksion ndaj veprimeve kundër interesave të shtetit të Kosovës”.
“Tani jemi në një nivel ku taksa 100 % ka arritur në atë pikë që partnerët e koalicionit kanë filluar të kenë debate më të frustruara, sidomos nga ana e PDK-së dhe AAK-së”.
Por a e mbështet Nisma Socialdemokrate taksën 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?
“Sa i përket taksës, jo vetëm Nisma por edhe PDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja si pjesë e koalicionit kanë qenë për vendosjen e taksës. Pas zhvillimeve në raport me aleatët tanë, ka imponuar një diskurs tjetër në debat të brendshëm dhe atë publik”.
“Nisma ka pasë një pozicion pak më ndryshe, ne e mbështesim taksën. Madje unë them se sa të qëndrojë Ramush Haradinaj, qëndroj edhe unë – ai është kryeministër dhe dera e parë në komunikim me aleatët dhe miqtë e Kosovës”.