Në bregdetin e Semanit vazhdojnë punimet për realizimin e pjesës ndoshta më të vështirë të Gazjellësi Trans Adriatik Pipeline (TAP), atë të instalimit të tubave të cilët do të kalojnë nën detin Adriatik në 105 km gjatësi.
Tubat do të shtrihen në shtratin e Adriatikut, ku pika më e thellë e tubacionit do të jetë më shumë se 810 metra nën sipërfaqen e detit. Ky segment po ndërtohet duke përdorur afërsisht 10 anije për shtrimin e tubave. Dy anije po përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba dhe punime të tjera.

Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë. Do të përdoren rreth 9 mijë tuba, me peshë të përafërt 100 mijë ton. Për ndërtimin dhe mbrojtjen e tubacionit, TAP po përdor standardet më të larta të industrisë.