Mbledhja e sotme e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka nisur me informatën për procesin e realizimit të projektit të kontratës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, nga Bernhard Haider, përfaqësues i Contour Global për Kosovë.
xAi ka informuar për punët e deritashme në këtë drejtim dhe ka theksuar se tashmë kanë përfunduar shumë nga proceset në përzgjedhjen e kompanisë projektuese dhe të financimit të projektit, që pritet të përfundojnë deri në mesin e muajit shkurt, ndërsa punët fillestare për ndërtimin e Termocentralit do të fillojnë në mars të këtij viti.
Kryeministri ka falënderuar kompaninë Contour Global për angazhimin e deritashëm dhe është shprehur se Kosova është e kënaqur me kontratën e ndërtimit të termocentralit të ri dhe ka kërkuar nga kjo kompani që të angazhojë sa më shumë kompani vendore në realizimin e ndërrimit të këtij termocentrali.
“Është lajm i mirë për Kosovën që projekti është në fazën më serioze tani dhe njoftimi që në muajin shkurt përcaktoheni për propozimet edhe teknike dhe financiare dhe në muajin mars edhe fillojnë punët e para. Kjo është dëshmia më e mirë. Ne kemi besim në ju si investitorë dhe jemi krenarë me kontratën që ka Kosova me ju. Falënderoj të gjitha institucionet e vendit, deputetët, partitë politike dhe Qeverinë para meje, Qeverinë “Mustafa”, sepse edhe ajo ka pasur kontribut në përgatitje të këtij projekti dhe sa i përket Kosovës, e mirëpresim faktin se po fillon me punë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.
Ministria e Financave ka kërkuar nga kompania që sa më parë të dihen obligimet financiare të shtetit të Kosovës për realizimin e këtij projekti.
Po sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës. Projektligji synon funksionalizmin e institucionit përgjegjës për politikën e jashtme dhe shërbimin diplomatik-konsullor të Republikës së Kosovës të mishëruar kryesisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Ministria, e mbështetur në këtë pako ligjore dhe në aktet nënligjore përkatëse, do ta plotësojë në masë të madhe kornizën ligjore të funksionimit të saj. Zhvillimet e reja e kanë shtruar nevojën e përshtatjes së legjislacionit në fushën e shërbimit të jashtëm.
Projektligji i është fuzionim i tri ligjeve që më herët kanë rregulluar këtë fushë.
Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar dhe aprovuar edhe Projektligji për pronën publike. Çështjet kryesore të trajtuara në këtë projektligj kanë për qëllim rregullimin e të drejtës pronësore publike dhe të drejtave tjera pronësore të Republikës së Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale.
Me përjashtim të pronës private, llojet tjera të pronës nuk kanë qenë të përkufizuara në mënyrë të qartë në vendin tonë, andaj edhe në shumë raste shprehjet e përdorura në aktet juridike kanë dykuptimësi dhe krijojnë konfuzion në të drejtën e administrimit të pronës publike dhe të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga administrimi i këtyre pronave.
Ky Projektligji siguron përkufizimin standard të pronës publike, format e pronës publike dhe rregullon çështjet që kanë të bëjnë me disponimin, shfrytëzimin, menaxhimin, mbrojtjen, mbikëqyrjen, vlerësimin dhe evidentimin e pronave publike.
Në mbledhjen e sotme ka marrë miratimin edhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta pronësore. Ndryshimi i rrethanave në Kosovë ka kushtëzuar hartimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji rregullon zgjatjen e afatit për shitjen e këtyre banesave deri në vitin 2021. Kjo do të mundësojë procesin e shitjes së banesave në pronësi shoqërore dhe publike në të gjitha rastet kur është fituar e drejta banesore apo e drejta e shfrytëzimit të përhershëm me qira.
Kabineti qeveritar ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për mandatin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Kosovës ku zëvendësohet emërtimi “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës” me emërtimin “Ministria e Mbrojtjes”.
Me vendimin e aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është autorizuar Komisioni për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës. Komisioni i kryesuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, dhe në përbërje të Ministrit të Financave, Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale do t’i rekomandojë Qeverisë së Republikës së Kosovës ofertuesin më të suksesshëm për privatizimin e kësaj ndërmarrje. Komisioni do të mbështet nga Njësia Implementuese për Privatizim e cila do të themelohet për këtë qëllim nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka themeluar Trupin koordinues për mbikëqyrjen e tregut, që do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë së tregut dhe përputhshmërisë së produkteve jo-ushqimore.
Aprovimin e Qeverisë së Kosovës e ka marr edhe Koncept dokumenti për fuqizimin e rinisë. Ky koncept-dokument shqyrton krijimin dhe zhvillimin e politikave dhe mekanizmave të përshtatshëm për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë përmes infrastrukturës ligjore që do të krijonte kushte adekuate teknike dhe profesionale.
Koncept dokumenti për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë adreson politikat rinore në nivel shtetëror që ndërlidhen me të gjitha çështjet e rëndësishme rinore dhe është hartuar duke konsultuar instrumente ndërkombëtare dhe përputhshmërinë e angazhimit të vendit tonë në procesin e integrimit evropian.
Miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marr edhe vendimi për miratim të nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.
Me propozim të zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, është aprovuar vendimi për mbështetjen e Klubit të Prodhuesve Kosovarë me 35 mijë euro për implementimin e fushatës vetëdijësuese për prodhimet vendore dhe për konsumin e tyre.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka kërkuar nga kabineti qeveritar që sa më parë të procedojë me miratimin e Projektligjit për pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të Ligjit për punë.