Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka bërë thirrje mësimdhënësve në Kosovë që ta vazhdojnë grevën, me kusht që ata do të kërkojnë zvogëlim të pagave të qeveritarëve.
Këtë thirrje deputeti i Kuvendit të Kosovës e ka bërë përmes një postimi në profilin e tij, teksa ka hedhur kritika ndaj Qeverisë.
Sipas Kurtit, Qeveria vlerëson më shumë shërbyesit politikë sesa ata publikë.
Postimi i plotë i Kurtit:
Pabarazia vs. Varfëria?
Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë.
Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta.
Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit.
Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria.
Ajo vlerëson shërbyesit politikë dhe jo shërbyesit publikë.
Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre.
Cila është zgjidhja?
Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim.