Pavarësisht se sot është votuar formimi i Ushtrisë së Kosovës, në Komunën e Gjilanit nuk është vërejtur asnjë shenjë feste për këtë ditë.
Komuna e Gjilanit nuk ka vendosur as flamuj të Kosovës, e as të ShBA-ve ose të aleatëve të tjerë të Kosovës në nderë të votimit të Ushtrisë së Kosovës, raporton Insajderi. Por, si për ironi, kjo komunë vendoste flamuj të Francës në ditën e pavarësisë së këtij shteti gjatë verës.


Kryetari i Komunës së Gjilanit, javën e kaluar kishte deklaruar se ushtria e Kosovës nuk pritet të jetë një ushtri e vërtetë dhe se po bëhet për nevoja të brendshme politike.
Për këtë arsye kanë reaguar sot edhe disa qytetarë të Gjilanit. Përmes shkrimeve në rrjetet sociale, ata e kanë krahasuar komunën e tyre, me atë të Mitrovicës së Veriut.

Qëndrimet duket se nuk i kishte ndërruar as një ditë para se të formohej ushtria, duke e quajtur Qeverinë e Kosovës mosmirënjohëse ndaj BE-së dhe NATO-s.
“14 dhjetori është dita e rilindjes së Ushtrisë së Kosovës drejt ndërtimit të Forcave të Armatosura dhe anëtarësimit në NATO. Mirëpo, pa partnerët evropianë, nuk ka anëtarësim në NATO dhe BE. Mos harroni, mosmirënjohëse po del të jetë Qeveria e jo populli. SHBA-të janë bartësi kryesor i këtij procesi, por në parneritet me BE, ku Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca e Italia kanë histori në luftën tonë, në çlirimin tonë, në Pavarësisë e deklaruar”, kishte shkruar Haziri në profilin e tij në “Facebook”.
Por, Haziri e ndërroi sot mendimin për Ushtrinë e Kosovës. Deklaroi se themelimi i Ushtrisë së Kosovës është hap i jashtëzakonshëm përpara për shtetin. /Insajderi.com



