Alternativa për Kosovën ka shkëputur koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Mimoza Kusari-Lila, kryetare.
Kusari-Lila tha se Alternativa do të veprojë si e pavarur brenda Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj arsyeja pse kanë vendosur të shkëpusin koalicionin, është pasi që partia ka ardhur në një pikë ku i duhet më tepër fokus promovimit dhe hapësirë më të madhe, jashtë LDK’së.
“Po, kemi dal nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tash unë dhe Iliri do të jemi deputetë të pavarur në Kuvendin e Kosovës, duke e përfaqësuar Alternativën” tha Lila për Gazetën Express.
Megjithatë, sipas kryetares së partisë, bashkëpunimi me LDK’në do të vazhdojë në kuadër të opozitës.
“Nuk ka ndryshim në politikat edhe qasjen në atë se çka ne jemi deklaruar deri tash sa i përket bisedimeve, qëndrojmë në të gjitha ato pika, sa i përket domosdoshmërisë së ndryshimit të formës së qeverisjes” u shpreh ajo.
LDK dhe Alternativa kishin nënshkruar koalicionin e tyre të përbashkët në muajin maj të vitit të kaluar për zgjedhjet e jashtëzakonshme.


