Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka asistuar sot nga tribuna VIP në “Alianz Stadium” të Torinos, ndeshjen debutuese të Juventus dhe Cristiano Ronaldos në shtëpinë bardhezi për këtë sezon të ri 2018/19 të Seria A në Itali. Vizita e kryeministrit Rama ka koresponduar me fitoren 2-0 të Juventus ndaj Lazios, ndonëse asnjëri prej golave të “Zonjës së Vjetër” nuk është shënuar nga portugezi 5 herë fitues i “Topit të Artë”.

I njohur si tifoz i Juventus, Rama ka festuar të shtunën kundër shqiptarëve që janë pjesë e Lazios, me Strakoshën që ishte titullar në portën e bardhekaltërve për të prishur festën e CR7, duke ndalur dy tentative të fuqishme të portugezit. Në përfundim të ndeshjes, Rama është parë të takohet me presidentin e Juventus, Agnelli, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë ka publikuar në llogarinë e tij në “Instagram” foto me Cristiano Ronaldon, me fanellën nr.7 me emrin Edi Rama të firmosur nga futbollistët bardhezinj, në ambientet e brendshme të stadiumit.