Me muajin e Ramazanit që do të përfundojë në ditën që Kampionati Botëror fillon, si po përgatiten futbollistët myslimanë për turneun e madh gjatë agjërimit të tyre?
Për myslimanët në gjithë botën, Ramazani është një muaj që i dedikohet agjërimit nga të ushqyerit dhe të pirët, nga lindja e diellit deri në perëndim.
Mohamed Salah i Liverpoolit, do të jetë një prej futbollistëve agjërues që do të jetë pjesë e Botërorit, së bashku me Paul Pogban, Sadio Mane dhe Mesut Ozil.
Përkundër faktit se Ramazani nuk përkoi me Premierligën dhe do të përfundojë në ditën që fillon Kupa e Botës, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë ndikim në përgatitjet për Rusi.
Muaji i shenjtë i Ramazanit përkoi me Olimpiadën e vitit 2012 në Londër, Kupën e Botës 2014 në Rio, Evropianin e fundit të mbajtur në Francë – dhe së bashku me ditët e gjata dhe muajt e nxehtë të verës, ndikimi në performancën dhe shëndetin e lojtarëve mund të përbëjë problem.
Por si do të përgatiten lojtarët si Salah, Mane e Pogba për Kupën e Botës? Goal sjell informacionin lidhur me atë se si do të përgatiten futbollistët myslimanë para Botërorit.
Trajner i kombëtares së Egjiptit, Hector Cuper, ka bërë të ditur masat që do të merren në mënyrë që ekipi të jetë në formën më të mirë për Kupën e Botës, duke agjëruar në muajin e Ramazanit.
“Federata e Egjiptit ka punësuar specialistë që të më ndihmojnë mua dhe lojtarët gjatë agjërimit në muajin e Ramazanit”, tha Cuper për gazetarët.
“Ne do të organizojmë dhe monitorojmë të ushqyerit dhe fjetjen e tyre dhe do të shpresojmë se kjo nuk do të ndikojë në ta negativisht”, shtoi ai.
“Mund të përbëjë problem për trajnerët sepse lojtarët do të ndalojnë së ngrëni nga lindja deri në perëndimin e diellit, kështu që nuk do të jetë e lehtë për ata të stërviten por kjo ka të bëjë me religjionin e tyre dhe nuk mund t’i ndaloj ata së praktikuari atë”, tha trajneri argjentinas.
Përgatitjet dhe stërvitjet gjatë Botërorit po ashtu pësojnë ndryshime, në veçanti seancat stërvitore në mbrëmje dhe dushet në akull.
“Sigurisht se është ndryshe. Ju stërviteni një herë në ditë, derisa në mënyrë ideale duhet të stërviteni dy herë në ditë, zbuloi trajneri i kombëtares U23 të Omanit, që u përball me këtë sfidë gjatë muajit të Ramazanit.
Ndërkaq, trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp po ashtu nënvizoi rëndësinë e privacisë dhe respektit gjatë muajit të Ramazanit, kur u pyet për Salahun para finales së Ligës së Kampionëve.
“Religjioni është një gjë private, kështu e kuptoj”, ishte shprehur para gazetarëve trajneri gjerman.
Kupa e Botës do të fillojë më 14 qershor, dhe do të përfundojë më 15 korrik. /Insport