Organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë është mbajtur Akademi Përkujtimore, për shënimin e Ditës së rënies së Heroit Ilaz Kodra, Komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”.
Para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se Ilaz Kodra është shembulli i luftëtarit shqiptar, tek i cili gjen heshtjen e burrave të mëdhenj e të dijshëm, trimërinë e atyre që s’i ka provuar askush, që s’ka mundur t’i lëkund, por njëkohësisht edhe qëndrimin krenar, një qëndrim ky që bashkë me heshtjen e me trimërinë e bënë të respektueshëm.
“Jam thellë i bindur se Drenica por edhe e gjithë shqiptaria krenohet me veprën e komandantit e luftëtarit shembull shqiptar, Ilaz Kodra. Krenohemi me 29 bashkëluftëtarë të tjerë që ranë këtë ditë, krenohemi me gjithë ata breza luftëtarësh që nderuan Drenicën, që nderuan Kosovën, që nderuan kombin”, tha kryeministri Haradinaj.
Të pranishmit me nga një fjalë rasti i përshëndeten edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe vajza e Heroit Ilaz Kodra, Sumea Kodra. Ndërsa për jetën dhe veprën e Heroit Ilaz Kodra, përmes një kumtesë tematike e paraqiti historiani, Sabit Syla.
Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj në Akademi:
E nderuara familje Kodra,
Të nderuara familje të dëshmorëve që i nderojmë sot,
I nderuar Bekim Jashari,
I nderuar Gjeneral Komandant i Zonës së Parë të Drenicës, Sami Lushtaku,
I nderuar kryetar i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci,
Të nderuar deputetë, bashkëluftëtarë të gjallë të heronjve dhe dëshmorëve që i kujtojmë, të gjithë ju prezentë, por edhe bashkëkombës kudo që jeni
Edhe dita e sotme është prej ditëve të shënuara të luftës sonë për liri. Është ndër ato ditë që bashkohet me ditët e mëdha të rënieve e flijimeve që kanë bërë kthesa në historinë tonë.
S’ka dilemë se asnjë ditë tjetër s’do ta kishte peshën e vet po të mos ishte marsi i Jasharëve në Prekaz, po të mos ishte rënia heroike e Komandantit Legjendar me gjithë Familjen e tij dhe me bashkëluftëtarë.
Edhe Ilaz Kodra është shembulli i luftëtarit shqiptar. Tek ai e gjen heshtjen e burrave të mëdhenj e të dijshëm, trimërinë e atyre që s’i ka provuar askush, që s’ka mundur t’i lëkund, por njëkohësisht edhe qëndrimin krenar, një qëndrim ky që bashkë me heshtjen e me trimërinë e bënë të respektueshëm.
Ilaz Kodra do të mbahet mend prej komandantëve shqiptarë, prej luftëtarëve shqiptarë, prej të gjithë atyre që e kanë njohur, si një djalë që qëndroi drejt, luftoi drejt dhe ra drejt në shërbim të lirisë.
Ishte rrugë e gjatë për të deri në flijim. Ai ishte bashkëluftëtarë i luftëtarëve më të zot që dha kombi në luftën e fundit. Ai ishte aty me plot të tjerë ku ranë heroikisht, ai ra duke i prirë Brigadës së lavdishme 114 me emrin e komandantit të mëparshëm, Fehmi Lladrovci.
Jam thellë i bindur se Drenica por edhe e gjithë shqiptaria krenohet me veprën e komandantit e luftëtarit shembull shqiptar, Ilaz Kodra. Krenohemi me 29 bashkëluftëtarë të tjerë që ranë këtë ditë, krenohemi me gjithë ata breza luftëtarësh që nderuan Drenicën, që nderuan Kosovën, që nderuan kombin.
Edhe sot edhe përmot nuk ju dalim borxhit, por edhe sot edhe përmot do t’i kemi me ne, do t’i kujtojmë dhe do ta nderojmë veprën e tyre.
E nderuara familje e Ilazit, bashkëshorte, familje e ngushtë, Ju keni kaluar kohë të gjatë me dhimbje për Ilazin, por mos harroni që Kosova nuk do të ishte kjo që është sot pa Ilazin dhe bashkëluftëtarët e tij.
Lavdi e përjetshme!