Ballkani Perëndimor mund të hyjë në çdo moment në një konflikt të përmasave të mëdha, dhe këtë konflikt po e nxitë tash e sa kohë shteti serb. Serbia është shteti i parë i cili ka tendenca të destabilizohet situata në Ballkan, shkruan Gazeta Blic.
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë. Ramadan Qehaja në një bisedë telefonike tha për “Gazeta Blic”, se gjendja e sigurisë në rajon nuk është aspak e mirë. Ai foli për shtetin serb dhe për tentimet që ky shtet i bën vetëm që të destabilizohet rajoni.
“Situata politike, dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nuk është e mirë, kjo është një tendencë e përkeqësimit të situatës, dhe për ketë unë kujtoj që Serbia zyrtare është e para e cila me politikën e vet, posaçërisht ndaj Kosovës, dhe ndaj shteteve tjera qe e rrethojnë Kosovën, është mjaft destruktive, është ashtu ta quaj luftë ngjitëse, dhe për këtë e ka përkrahjen e shteti Rus”, thotë Qehaja.
Eksperti i sigurisë, fajëson edhe shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat sipas tij nuk kanë qenë mjaft të vëmendshme, ndaj Ballkanit Perëndimor, e sidomos ndaj Kosovës.
“Kujtoj që edhe Perëndimi, edhe Bashkimi Evropian nuk ka qenë e vëmendshme që disa çështje t’i rregullojnë më shpejt në një mënyrë të përshpejtuar, dhe me të efektshme, p.sh çështja e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, çështja ka ecur shumë ngadalë, dhe kohëve te fundit ka pasur një stagnim, si rezultat i asaj që Serbia don një pjesë të Kosovës, më saktësisht pjesën Veriore ta aneksoj”, shtoi Qehaja.
Ai foli edhe për mënyrën se si po vepron shteti serb, që të mund ta marrë pjesën veriore të Kosovës.
“Ajo po tenton që këtë ta bëjë fillimisht me mjete paqësore, siç është Asociacioni i Komunave Serbe, jo sipas kushtetutës së Kosovës, por, sipas asaj që ata dëshirojnë ta formojnë, dhe unë kujtoj që ata kanë një qëllim që ta bëjnë aneksimin e kësaj pjese, sepse, për këtë janë prononcuar disa herë edhe Ministri serb i Mbrojtjes dhe kryetari i Serbisë”, sqaroi ai.
Në fund, eksperti tha, se nga të gjitha këto ngjarje, është shteti rus ai që ka përfituar. Qehaja përmendi edhe bazën që shteti Rus ka në qytetin e Serbisë, e cila sipas tij, ka njerëz të duhur dhe që ata angazhohen sa herë që është nevoja për destabilizim të Ballkanit.
“Kujtoj që situata në tërësi në rajon, nuk është e mirë, qoftë politike apo e sigurisë. Duhet theksuar në veçanti, qe Rusia duke parë këtë zbrazëti në rajon, angazhim jo të duhur të Bashkimit Evropian, dhe ndoshta edhe një ngecje të shteteve tjera ndaj Kosovës, ajo po vepron me të madhe. Rusia ka një bazë , të cilët ata e quajnë emergjente, mirëpo ajo ka për detyrë ta përcjell Kosovë, dhe vendet tjera, dhe kështu ajo qendër ka njerëz të duhur, të cilët angazhohen për destabilizimin e rajonit”, ka përfunduar deklaratën, Qehaja për “Gazeta Blic.

Që situata në Ballkan nuk është aspak e mirë, e konfirmon edhe eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava.
Ternava tha për “Gazeta Blic, se Ballkani është në situatë të vështir, ku gjendja mund të eskalojë shumë lehtë. Megjithatë sipas tij, kush do që tenton ta prek Kosovën do të ketë punë me më të fortit e botës, siç janë SHBA.
“Ballkani në këtë situatë që gjendet, gjithnjë është vend potencial që mund eskalojë situate politike në atë të luftërave, nga shumë shtete që i përkasin Ballkanit. Duke e pasur parasysh se për Kosovën, ende është në fuqi rezoluta e OKB 1244, dhe se kufijtë e Kosovës, sipas, marrëveshjes se Kumanovës i mbron KFOR-i, dhe NATO. E nga ajo marrëveshje që tash e sa vite nuk pati konflikt ndërshtetëror, na jep me kuptu se Kosova është mirë e siguruar dhe çdo cenim i territorit të saj do të ballafaqohet me më të fortit e botës, sikur në këtë rast me Amerikën dhe BE, si dhe me KFOR-in dhe NATO-në”, ka deklaruar Tërnava për “Gazeta Blic”.
Tërnava foli edhe për paralajmërimit që bëri dje ish-komandanti suprem i Aleancës Veri-atlantike (NATO), Wesley K. Clark, i cili tha se Ballkani Perëndimor është para shpërthimit. Tërnava tha që është mirë që një ish-komandant ka shprehur shqetësimet e tij, dhe se deklarimet tilla si të Wesley Clark, garantojnë territorin e Kosovës.
“Mirë është për Kosovën që ish-komandat i NATO-s, Clark, paralajmëron shqetësimet e tij rreth situatave të mundshme të eskalimit-shpërthimit të dhunës, apo luftës në përgjithësi. Ky shqetësim i Wesley Clark e ngrite nivelin e gatishmërisë të forcave, të cilat e garantojnë territorin e Kosovës. Me këtë reagim të Clark edhe Serbia e kupton mesazhin e tij, se jo vetëm një ish-komandat i NATO-s, por e tërë udhëheqesia e atyre shteteve dhe e forcave që kanë intervene në vitin 199, e përcjellin çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe me këtë reagim të tij, Serbisë i dërgohet mesazhi në preventive, që ajo të bëjë pajtimin dhe ta njoh pavarësinë e Kosovës sa më parë, dhe të bëhet rehatia e përhershme në këto vende të Ballkanit”, ka sqaruar Tërnava.
Në fund, eksperti i sigurisë tha se nëse edhe një herë ndodhë që të ketë sulme mbi Serbinë, atëherë vihet në pikëpyetje ekzistenca e shtetit serb.
“Në të kundërtën nëse edhe njëherë këto forca detyrohen ta bëjnë intervenim si në vitet 1999, bëhet pyetja se a do te ekzistoj më Serbia”, ka përfunduar deklaratën Tërnava.

Ndryshe, dje ish-komandanti suprem i Aleancës Veriatlantike (NATO), gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley K. Clark, ka paralajmëruar se Ballkani Perëndimor është para shpërthimit.
Nëpërmjet një shkrimi autorial, të publikuar në “The Washington Post“, Clark ka porositur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që të veprojnë për ta parandaluar një gjë të tillë.

“Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur kam bashkëpunuar me Richard Holbrooke dhe ekipin tonë për të negociuar ndaljen e luftës në Bosnjë. NATO-ja u mobilizua dhe më pas veproi për të ndalur edhe spastrimin etnik nga serbët në Kosovë”, ka shkruar Clark./Gazeta Blic./


