Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka propozuar në Asamblenë komunale propozimin për shpalljen e Pandeli Majkos, “Qytetar nderi” dhe Konteshen Walburga Habsburg Douglas. Propozimi u aprovua nga asamblistët e komunës së Drenasit. Për këtë vendim të Asamblesë, kryetari Lladrovci ka falënderuar asamblistët për këtë vendim.
Ky është njoftimi i plotë i Lladrovcit:
E falënderoj Asamblenë komunale të Drenasit për përkrahjen e propozimit tim që z. Pandeli Majko të shpallet “Qytetar nderi”, i komunës së Drenasit si dhe vendimi për të shpallur “Qytetare nderi”, Konteshën Walburga Habsburg Douglas.
Sot, Asambleja komunale e Drenasit, ka nderuar jo vetëm këto dy personalitete por edhe Drenicën dhe krejt Kosovën. Faleminderit!
Z. Pandeli Majko, Shpallet “Qytetar nderi” i Komunës së Drenasit, nga Asambleja komunale e Drenasit, me motivacion:
Për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës, mbështetjen e vazhdueshme për shtetësinë e Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në agjendat integruese euro-atlantike.
Personalitetin e fuqishëm patriotik e motivues, e rikonfirmoi gjatë ushtrimit të postit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, kohës më të ndjeshme të kombit shqiptar, kur qytetarët e Kosovës përballeshin me shfarosjen”…

Ndërsa për shpalljen e Konteshës Walburga Habsburg Douglas, “Qytetare nderi”, të Drenasit, Z. Lladrovci ka shkruar:
“Për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për kombin shqiptar, paraqitjen e gjendjes së shqiptarëve në ish Jugosllavi, përkrahjen e çlirimit të Kosovës dhe shpalljen e saj të pavarur.
Kontesha ka ofruar mbështetjen pa rezervë për shtetësinë e Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në agjendat integruese euro-atlantike.
Personalitetin e saj të fuqishëm ndërkombëtar, nga Familja e shquar mbretërore e Habsburgëve, e vuri në shërbim të çështjes shqiptare në Ballkan, si bija e politikanit të shquar Otto von Habsburg…



