Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka thënë se në kohën kur po intensifikohet faza përfundimtare e dialogut të Brukselit, Serbia ka për qëllim tensionimin e gjendjes në veri të Kosovës në mënyrë që të ndodhë ndarja e asaj pjese.
Prandaj, sipas deputetit Deda, partitë në pushtet duhet të ndërmarrin hapat për krijimin e konsensusit politik me opozitën për fazën finale të dialogut, transmeton “Zeri.info”
“Me intensifikimin e fazës përfundimtare të dialogut të Brukselit për “normalizim” të raporteve Kosovë-Serbi, do të intensifikohen edhe provokimet më të ndryshme nga Serbia me një qëllim të vetëm – tensionim të atillë të gjendjes që të përmbushet kërkesa e Vuçiqit për ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. Lojë e vjetër me qëllim të qartë. Partitë qeverisëse duhet menjëherë t’i ndërmarrin hapat për krijimin e konsensusit politik me opozitën në lidhje me këtë fazë të dialogut për “normalizim”, ka shkruar Deda në rrjetin e tij social ‘Facebook’.