Saktësisht një vit më parë, më 5 mars të vitit 2017, Hashim Thaçi kishte premtuar themelimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, pa ndryshime kushtetuese.
Në ceremoninë ushtarake të FSK-së, të organizuar në kuadër të “Epopesë së UÇK-së” sot një vit, presidenti i Kosovës, deklaroi se Kushtetuta e Kosovës, atij si komandant suprem i jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarrë iniciativën e ndryshimit të ligjin për FSK-së.
Thaçi kishte premtuar se “ditëve në vijim” nga 5 marsi i vitit të kaluar, do të ndërmerrte veprime për të themeluar Ushtrinë e Republikës së Kosovës.
“Kushtetuta moderne e Kosovës mua si komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës më jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarrë iniciativë për të ndryshuar ligjin e FSK-së”, kishte deklaruar Thaçi.
“Prandaj, unë sot dua të bëjë të qartë publikisht se në ditët në vijim, shumë shpejt brenda kompetencave të mija kushtetuese do të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore që transformimi i shumëpritur i themelimit të Ushtrisë së Kosovës të bëhet realitet”
Por, presidenti Thaçi nuk e kishte të hapur rrugën për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtrinë e Kosovës. Premtimi i presidentit për transformimin e FSK-së ngjalli reagimin e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës: Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Aleancës Veri-Atlantike (NATO).
Partnerët ndërkombëtarë i bën thirrje presidentit Thaçi që transformimi i FSK-së të bëhej nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe në konsultim me të gjitha komunitetet që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, raporton Insajderi.
Në një intervistë ekskluzive që kishte dhënë për Insajderin, ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, i kishte paralajmëruar autoritetet kosovare për pasoja nëse themelojnë Ushtrinë e Kosovës nëpërmjet ligjit.
Delawie kishte deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar gjatë që Kosova të ketë ushtri, por nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe në konsultim me të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Kjo nuk është ajo se si ne e parashikuam se do të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që ne kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt”, ka thënë ai. “Ne punojmë shumë ngushtë në partneritet lidhur me këto çështje. Kjo është arsyeja pse disi u befasuam dhe u zhgënjyem kur ky projektligj u paraqit javën e kaluar sikur të kishte rënë nga qielli”.
E pas ndërhyrjes së SHBA-ve dhe paralajmërimit për pasoja ndaj Kosovës, presidenti Hashim Thaçi nuk kishte ndërmarrë më asnjë hap për transformimin e FSK-së në ushtri, edhe pse kishte premtuar veprime konkrete disa ditë pas 5 marsit të vitit të kaluar.
Ai kishte ndërruar mendim pas disa muajve rreth mënyrës së transformimit të FSK-së në ushtri. Kishte thënë se do ta transformonte FSK-në në ushtri, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Për dallim nga Epopeja e vitit të kaluar, saktësisht pas një viit, presidenti Thaçi ka dhënë deklarata shumë më të matura.
“Ne dëshirojmë që forcat e armatosura të transformohen me ndryshime kushtetuese. Por nuk do të lejojmë askënd që të vë veto të pafund për këtë proces”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë fjalimit të tij.
Thaçi ka thënë se është i bindur se këtë proces do ta kalojnë së bashku me KFOR-in dhe NATO-n.
Edhe pse transformimi i FSK-së ende nuk është bërë, presidenti Thaçi ka thënë se përgatitja e pjesëtarëve të saj është shumë më e përgatitur sesa e ushtrive në rajon.
Ai nuk ka harruar ta fajësojë skenën politike për transformimin e dështuar të FSK-së. /Insajderi.com