Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj e ka marrë një mision jashtëzakonisht të vështire.
Ai ka dy muaj që ka marrë angazhime nga Qeveria e Kosovës për të gjetur rrugë se si të përmbyllet çështja e demarkacionit me Malin e Zi pa cenuar interesat e dy vendeve.
Numri dy i Qeverisë Haradinaj ka zhvilluar disa takime larg syrit të publikut për t’i dhënë epilog marrëveshjes më problematike e cila po e mban peng rrugëtimin e Kosovës tash e gati tri vete.
Mësohet se pa bërë shumë bujë Limaj ka pasur disa takime dhe po punon fuqishëm në gjetjen e një zgjidhje për demarkacionin.
Madje, ai raportohet se javën e kaluar të ketë pasur një takim edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta për këtë çështje.
Vet, Limaj në fund të vitit të kaluar kishte thënë se shumë shpejt do të ratifikohet një version i demarkacionit i përshtatshëm për të gjitha palët.
Përkundër interesimit të medieve, Limaj nuk kishte dhënë detaje tjera.
“Ka rreth dy muaj që kam marrë angazhim për të gjetur rrugë që kjo temë të përmbyllet dhe me i hap mundësi vendit. Unë besoj se Qeveria e Kosovës e ka mundësinë që të punojë ende që së bashku me Qeverinë e Malit të Zi të gjejë një zgjidhje të përbashkët ku do të respektohet interesi i dy vendeve. Ka hapësire të mjaftueshme që dy qeveritë tona të marrin përsipër obligimet që të përmirësojnë çdo pikë ku vlerësohet se ka pasur lëshime gjatë asaj marrëveshje dhe ku ka gabime të përmirësohen. Po bisedojmë dhe shpresoj të gjejmë një rrugë ku do të jemi të sigurt që deputetët po votojnë diçka që nuk është kundër interesit të vendit dhe kjo do të bëhet me transparencë. Kjo do t’i hapte rrugën Kosovës drejt liberalizimin dhe perspektivës evropiane”, ka thënë një ditë më parë Limaj në një tubim partiak të Nismës Socialdemokrate.
Limaj sa ishte në opozitë kishte luajur rol të madh në bashkimin e opozitës. Fillimisht si VLAN e pastaj edhe VAN.
Edhe pse është pjesë e Qeverisë ai po kërkon që në temat e mëdha sic është dialogu më Serbinë të përfshihet opozita dhe shoqëria civile.