A do të dënohet edhe Partizani i Beogradit?
Në fushë ishte çdo gjë brenda normave të “Fair Play”, ndërsa e gjithë transferta e Partizanit të Beogradit në Shqipëri shkoi pa asnjë incident, pavarësisht tensionit.
E pavarësisht kësaj, raporti i delegatit të ndeshjes ka penalizuar Skënderbeun.
Skuadra e vetme shqiptare e mbetur në kompeticionet evropiane të futbollit, Skënderbeu, do të vuajë një ndeshje pa spektatorë në stadium, për shkak të koreve raciste dhe sjelljes jo korrekte të tifozëve në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” më 19 tetor.
Skënderbeu është dënuar gjithashtu me gjobë në masën 60.000 Euro.
Tani, në sfidën e kthimit në Beograd, tifozët e Partizanit të Beogradit me të hyrë në stadium kanë nisur thirrjet “Kosova është Serbi”, duke shpërfillur thirrjet e drejtuesve të Partizanit që të shmangin thirrjet politike për të mos rrezikuar penalizimin nga UEFA.
Mbetet të shihet se si do të reagojë kjo e fundit dhe nëse delegati i UEFA-s do të shkruajë këtë incident në raport. /Gazeta Express/

