Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka reaguar pas publikimit të hulumtimit në të cilin pretendohet se provimi i tij i jurisprudencës është i falsifikuar.
Lumezi ka thënë se pohimet se ai ka provim të falsifikuar të jurisprudencës mund t’i vërtetojë gjykata.
Ai ka prezantuar edhe një dokument si kopje e origjinalit të kopertinës së provimit, për të cilën thotë se mbahet në Ministrinë e Drejtësisë, ku sipas Lumezit gjendet dokumentacioni origjinal për vitet 1986 – 1992 e ku shihet edhe emri “Aleksandër Lumezi” dhe ku nuk ka asnjë ndërhyrje të asnjë lloji.
Ky është reagimi i plotë:
Lidhur me lajmin e emetuar në ditarin e orës 19:00 dhe 23:00, të datës 24 tetor 2017 në KTV, me titull “Provimi i Jurisprudencës i Lumezit i manipuluar”, kërkoj nga KTV që ta publikoj këtë komunikatë me qëllim të informimit objektiv dhe të drejtë të opinionit publik.
Aleksandër Lumezi, provimin e jurisprudencës e ka dhënë para komisionit kompetent për dhënien e provimit të jurisprudencës të Kosovës me ç‘rast ka marrë edhe certifikatën për dhënien e këtij provimi më 25 prill 1991 me numër të protokollit, 02 nr.152-1-217/90, datë 06.05.1991.
Kjo certifikatë paraqet dokument zyrtar që shërben për të provuar faktin se provimin e jurisprudencës, Aleksander LUMEZI, e ka dhënë para komisionit kompetent dhe në kohën dhe vendin e cekur në këtë dokument. Certifikata është e pajisur me vulën adekuate dhe nënshkrimin e kryetarit të komisionit për dhënien e provimit në fjalë. Gjithashtu dhënia e provimit vërtetohet edhe nga libri origjinal për dhënien e provimit të jurisprudencës për vitet 1986-1992, i cili gjendet në Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Ky prezumim i këtyre fakteve mund të rrëzohet vetëm me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente dhe në asnjë mënyrë tjetër.
Çdo kuazi, hulumtim i kujtdo qoftë nëpër arkiva me qëllime të ulëta, dashakeqëse dhe tendencioze të Enver Hasanit, dhe të përkrahësve të tij pikërisht në kohën kur ai u shpall zyrtarisht fajtor dhe u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të caktuar, të kryer në kohën e ushtrimit të detyrës së Rektorit të Universitetit të Prishtinës, duan vetëm ta largojnë vëmendjen nga fakti dhe turpi skandaloz i veprimit të tij të falsifikimit të kontratës për përkthimin e librave universitar.
Përndryshe, është fakt notor se dosjen për dhënien e provimit të Jurisprudencës e ka përgatitur dhe dorëzuar në arkivë institucioni para të cilit kandidati e ka dhënë provimin, pa mundësinë e interferimit të kandidatit në fjalë, në këtë rast të Aleksander Lumezit.
Edhe vetë logjika e shëndosh tregon se interes për manipulimin me dosjen në arkiv qëndron, siç u tha, te personat të cilët duan të arrijnë qëllime të caktuara duke manipuluar opinionin publik.
Njëkohësisht konsideroj se me publikimin e kësaj komunikate, është ezauruar nga ana ime çdo debat tjetër rreth kësaj çështje.
Bashkëngjitur:
1. Kopja e origjinalit të kopertinës që mbahet në Ministrinë e Drejtësisë ku gjenden dokumentacioni origjinal për vitet 1986 – 1992 e ku shihet edhe emri i Aleksandër Lumezit dhe ku nuk ka asnjë ndërhyrje të asnjë lloji;
2. Faqja e fotokopjuar e librit si më lartë dhe e cila gjenden tek Ministria e Drejtësisë;
3. Certifikata mbi dhënien e provimit të jurisprudencës, nr. 152-1-217/90 e datës 06.05.1991





