Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka reaguar ndaj disa deklarata në opinion se janë marrë parat e sigurimeve shëndetësore për të paguar veteranët.
Lushtaku ka thënë se këto deklarime nuk qëndrojnë dhe se janë për konsum politik për shkak të fushatës zgjedhore, shkruan Indeksonline.
“Deklarimet se janë marrë paratë e sigurimeve shëndetësore për të paguar pagat e veteranëve nuk qëndrojnë. Janë thjeshtë deklarime për konsum politik ditor ndonëse ende jemi në fushatë zgjedhore dhe me veprime të këtilla tentohet të fitohet ndonjë poen politik. Ministria e Financave e ka dhënë arsyetimin e saj dhe si anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga ana e PDK-së e përkrah një qëndrim të tillë si plotësisht të arsyeshëm, ngase nuk mundemi që ta fusim Ministrinë e Financave në obligime dhe penalizime të mëtejme për mos kryerjen e pagave për veteranë që u takojnë me ligj. Ndërkaq, kur miratohen aktet nënligjore për sigurimet shëndetësore, do të planifikohet buxheti konform atyre akteve” ka thënë Lushtaku.
“Veprimet dhe deklarimet populiste veçsa krijojnë pengesa e vonesa të panevojshme në avancimin e proceseve që qeveria ka në përgjegjësi të realizojë. Pastaj, etiketimi i veteranëve të UÇK-së si militantë është atakim i vlerave të luftës dhe një qasje destruktive në raport me njerëz të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në luftën e Kosovës, e që ka prej atyre që vijnë nga të gjitha partitë shqiptare të Kosovës pa përjashtim” ka përfunduar Lushtaku.