Aleanca Kosova e Re do t’i ketë katër deputetë në legjislaturën e re parlamentare.
Behgjet Pacolli, Labinot Tahiri, Korab Sejdiu dhe Islam Pacolli do të jenë pjesë e saj.
Por, jo edhe Albena Reshitaj.
Ajo ka marrë 5614 vota, 37 më pak sesa kandidatja e fundit në listën e deputetëve të LAA.
Ndonëse vetë Reshitaj, në një postim të sajin, shtatë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, kishte thënë se edhe ajo do të jetë në mesin e deputetëve nga lista e Aleancës Kosova e Re.
“Nga numërimi i deritanishëm, ne si AKR gjendemi mirë, mund të kemi 6 deri 7 deputetë, një ndër ta jam edhe unë”, pati shkruar më 18 qershor të këtij muaji.
Por nga ky subjekt politik, sipas rezultateve të Komisionit Qendror Zgjedhor, janë vetëm katër deputetë.
Reshitaj për klankosova.tv ka thënë se ky rezultat ishte befasues për të.
“Të gjitha rezultatet tona, nga komisionerët tanë dhe ekipet mobile që kanë punuar intensivisht në zgjedhje, kanë qenë të tilla që unë do të duhej të isha në Legjislaturën e re të Kuvendit”.
Ajo ka pohuar se pasi t’i analizojnë të gjithë faktorët do të dalin me një qëndrim final për këto rezultate.
“Rezultatet që sot i ka publikuar KQZ-ja kanë qenë befasuese për të gjithë dhe aktualisht jemi duke analizuar të gjithë faktorët e mundshëm, të cilët kanë mundur ta sjellin një rezultat të tillë”.
“Elektorati ka besuar në mua, ata i falënderoj jashtëzakonisht. E sa i përket të tjerave gjëra, do të shohim në vijim”.
Por, a do të mundet Reshitaj të bëhet deputete nëse koalicioni i saj hyn në Qeveri?
“Unë nuk dua të flas për çështjen e koalicioneve dhe gjërave që do të ndodhin më pas”.
“Do ta bëj të pamundurën që çdo votë e besuar në mua ta ketë peshën dhe vendin e merituar”.
Albena Reshitaj ka kryer 6 vite në Fakultetit të Mjekësisë. Më pas ka bërë 3 vite specializim, duke vazhduar edhe Doktoraturën për katër vite.
Pos kësaj, Reshitaj është e diplomuar edhe në Fakultetin e Arteve, dega e Dramaturgjisë.