back to top
Wednesday, December 17, 2025
BallinaRegjionaleDrenasFFK-Feronikeli, kjo nuk pritej

FFK-Feronikeli, kjo nuk pritej

Të ngjajshme

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka hequr dorë nga stadiumi “Rexhep Rexhepi” në Drenas prejse është “bombarduar” me akuza të ashpra nga Feronikeli. Brenda një jave shtëpia e futbollit i organizoi katër ndeshje në “Riza Lushta” të Mitrovicës e asnjë në Drenas, ku kohëve të fundit Përfaqësuesja e Kosovës gjente kushte më të mira për punë dhe numër më të madh të tifozëve. Ndërsa këto ditë për ndeshjen me Turqinë reprezentuesit tanë po ushtrojnë në mungesë të tifozëve në Obiliq, ku edhe fusha është e vështirë

Procesi i licencimit të klubeve për pjesëmarrje në gara evropiane, të cilin Feronikeli e ka konsideruar të falsifikuar dhe të kriminalizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), për çka është ankuar edhe në UEFA, ka shkaktuar çarje të dukshme ndërmjet klubit nga Drenasi dhe shtëpisë së futbollit.

FFK-së duket t’i kenë shkaktuar dhimbje serioze akuzat e ashpra publike të Feronikelit, prej të cilit ishte mësuar që gjithnjë të merrte vetëm lëvdata, shkruan sot gazeta Zëri.

 

Siç dihet stadiumi “Rexhep Rexhepi” në Drenas viteve të fundit është konsideruar thuajse më i miri në vend, andaj e shfrytëzonte edhe federata për nevojat e veta, përkatësisht për zhvillimin e ndeshjeve që i organizonte ajo.

Mbi të gjitha stadiumi i Feronikelit ishte bërë edhe fole e Përfaqësueses së Kosovës, e cila në Drenas pritej nga numër i madh shikuesish nëpër seanca stërvitore.

Pas përplasjeve ndërmjet Feronikelit dhe FFK-së, kjo e fundit ka hequr dorë nga Drenasi.

Shtëpia e Futbollit gjatë javës së kaluar i organizoi katër ndeshje në stadiumin e Trepçës ’89, “Riza Lushta”, në Mitrovicë, të cilin në këtë mënyrë edhe e ngarkoi.

Në “Riza Lushta” u zhvilluan dy ndeshje të barazhit dhe dy finale të Kupës së Kosovës, në të dyja konkurrencat.

Ndërsa nuk e organizoi asnjë lojë në stadiumin e Feronikelit, ani pse fusha në “Rexhep Rexhepi” aktualisht është në gjendje shumë të mirë.

Në anën tjetër, në “Rexhep Rexhepi” nuk po stërvit tashmë as Përfaqësuesja e Kosovës.

Kjo e fundit të martën i nisi ushtrimet për ndeshjen kualifikuese të Botërorit me Turqinë në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, ku reprezentuesit kosovarë nuk gjetën fare tifozë, por gjetën fushë me bar të vështirë për punë.

“Federata nuk ka kërkuar nga Feronikeli për t’ia lënë fushën në dispozicion as për ndeshjet e Kupës dhe barazhit e as për stërvitjet e Përfaqësueses së Kosovës. Sikur ta kërkonte ne do t’ia lëshonim pa problem. Vjet e ka shfrytëzuar FFK-ja fushën tonë për ndeshje të tilla, ndërsa në stadiumin tonë ka stërvitur disa herë edhe Përfaqësuesja, sivjet nuk na është kërkuar as për barazh, as për Kupë as për Përfaqësuesen”.

“Mendoj se situata e fundit në mes Feronikelit dhe Federatës ka ndikuar që FFK-ja të mos e kërkojë fushën tonë. Realisht ato kundërshtimet tona kanë bërë që Kombëtarja të mos zbret në Drenas, gjë që është gabim, sepse kundërshtimet kanë qenë normale dhe nuk është diçka tragjike. Kjo nuk është dashur të ndikojë deri në këtë pikë, pra deri te Përfaqësuesja, sepse ajo nuk është veç e federatës, por e të gjithëve”, tha për “Zërin” drejtori i Feronikelit, Artan Berisha.

Zyrtari i lartë i kampionit të dy vjetëve të kaluara këtë e sheh si një lloj hakmarrjeje të FFK-së ndaj Feronikelit për akuzat që ia ka bërë.

“Nëse FFK-ja mendon të nisë njëfarë lloj hakmarrje, gabon. Ajo duhet t’i kontribuojë tejkalimit të situatës. Nëse jo, atëherë ne nuk kemi çfarë të bëjmë, ne e këqyrim punën tonë dhe nuk mund t’i themi federatës ‘na duaj me zor’”, u shpreh Berisha.

Në anën tjetër Federata e Futbollit e Kosovës e ka përmendur veç një arsye që përfaqësuesen kosovare e ka vendosur në “Agron Rama” të Obiliqit e jo në “Rexhep Rexhepi” në Drenas të Feronikelit.

“Është vendosur që Përfaqësuesja e Kosovës t’i zhvillojë ushtrimet në stadiumin e KEK-ut pasi është më afër hotelit ku është vendosur ekipi. Fusha ishte e mirë veçse bari ishte paksa më i rritur se që duhet. Në të ardhmen këtu do të ndërtohet një fushë tjetër ndihmëse ku do ta ketë mundësinë të ushtrojë Përfaqësuesja”, ka deklaruar shtëpia e futbollit për “Zërin”.

Komisioni i FFK-së kishte licencuar Trepçën ’89, Prishtinën, Llapin dhe Feronikelin.

Ky i fundit insistonte se licencë kanë merituar vetëm Feronikeli dhe Prishtina, kurse për ekipet tjera “Nikli” thoshte se janë licencuar me dokumentacion të falsifikuar me insistimin e kryetarit Fadil Vokrri.

“Nikli” ishte ankuar në UEFA dhe ka paralajmëruar ankesë edhe në Prokurori, pasi pretendonte se kishte identifikuar edhe vepra penale në gjithë atë proces. /Zëri/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz