Kryetari komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci do të kandidojë sërish për udhëheqjen e Drenasit, nëse i pari i PDK-së, Kadri Veseli i jep “izen”.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një intervistë dhënë Indeksonline ka shprehur vullnetin dhe dëshirën që të kandidojë për kryetar në zgjedhjet që priten të mbahen në vjeshte, duke thënë se prapë vendimi është në dorën e Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
“Sigurisht se mendoj të kandidoj sërish, por vendimi është në dorë të Kryetarit Veseli. Kandidimi im është i lidhur me vullnetin tim që Drenasi të jetë ashtu siç kam premtuar, qytet tërheqës jo vetëm për qytetarët e komunës tonë por edhe më gjerë. Kemi kushte të mira për këtë, kemi dije dhe vullnet që Drenasin ta bëjmë edhe qytet shembull të qeverisjes” ka thënë Lladrovci.
I pari i Drenasit ka thënë se përçarje në degën e PDK-së në Drenas nuk ka.
“Jo, në asnjë rast, nuk ka përçarje. Dega e PDK-së në Drenas zhvillon aktivitetet e veta partiake krejt normalisht, unik, edhe mbledhjet e kanë sharmin e vet, ashtu sikur mbledhja e fundit” është shprehur Lladrovci.
Gjendja në komunën e Drenasit ashtu siç ka qenë para ardhjes së tij, ka ndryshuar pozitivisht. Administrata dhe gjithçka tjetër është vënë në shërbim të qytetarit. Kreu i Drenasit për këtë garanton se do nuk do të ndalët së punuari. Ai thotë se ka qenë në dijeni për problemet në këtë komunë, por që ka patur vizion si të udhëheq.
“Kam qenë në dijeni për gjendjen në komunë dhe kam pasur vizion si ta udhëheq, që administrata të jetë në shërbim të qytetarit. Kemi bërë një raport për 100 ditëshin e parë të qeverisjes lokale. Sigurisht, qytetarët e vërejnë këtë, me shërbimet ndaj tyre, respektimin e ligjit, respektimin e interesit të qytetarëve dhe mirëqenies së tyre. Jo vetëm duke realizuar projektet kapitale, por edhe me cilësi dhe përkushtim” ka shtuar kryetari i Drenasit.
Lladrovci ka shtuar se oferta për qytetarin është një mandat i plotë në shërbim të tyre, duke thënë se të gjitha premtimet do t’i realizoj brenda mandatit 4 vjeçar.
“Unë kam dhënë një ofertë për qytetarin, për një mandat të plotë, në shërbim të qytetarit. Sigurisht, është e papranueshme që Drenasi, në çdo lokalitet të mos ketë ujë të pijes, kanalizim dhe rrugë, shkolla të mira dhe shërbime cilësore shëndetësore. Pa dyshim, premtimet do t’i realizoj brenda mandatit 4 vjeçar” ka thënë në fund Lladrovci.
Ndryshe , Ramiz Lladrovci është zgjedhur nga qytetarët e Drenasit për të qeverisur për 9 muaj komunën e Drenasit.
Që në fillim Lladrovci kishte pezulluar nga puna pesë drejtorë dhe zyrtarë komunalë ndaj të cilëve kishte të ngritur aktakuza për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”, në mesin e të cilëve edhe drejtoreshën e Shërbimeve Publike, Hyrie Xhamjlaj – Thaçi, motër e kundërkandidatit të tij nga “Nisma”, Isa Xhemajlaj.
Ai gjithashtu ka mbajtur premtimin se 50 për qind të ekzekutivit do të jenë femra dhe në këtë mënyrë pesë drejtori ua ka besuar femrave./Indeksonline