Pas reagimeve të shumta për vdekjen e të paraburgosurit Naser Makolli, i cili ishte cimer i dhomës së Astrit Deharit, ka reaguar Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Sipas tyre, i vdekuri ka pasur problem shëndetësore dhe i njëjti ka qenë duke u trajtuar.
‘Pas disa shkrimeve në portale për vdekjen e sotme të të paraburgosurit N.M., Shërbimi Korrektues i Kosovës sqaron opinionin se i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore dhe ka qenë duke u trajtuar në QPL në Lipjan’, thotë Shërbimi Korrektues.
Siç sqarojnë ata, tashmë të ndjerit i ishte dhënë ndihma mjekësore e poashtu edhe trajtimi i nevojshëm në rastin e keqësimit të gjendjes.
Ata sqarojnë se për vdekjen e tij janë njoftuar të gjitha autoritetet, e të cilat po merren me procedurat.
‘Të ndjerit i është dhënë e gjithë ndihma mjekësore dhe trajtimi i nevojshëm paraprakisht edhe me rastin e keqësimit të gjendjes. Me rastin e vdekjes së tij, janë njoftuar autoritetet përkatëse të cilët po merren me procedurat për raste të tilla. Po ashtu, edhe SHKK dhe Ministria e Drejtësisë kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë për të gjitha detajet e rastit’, thuhet në sqarimin e Shërbimit Korrektues.