Lumi Sitnica ka humbur atraksionin e tij nga ndotja. Mbeturinat e shumta që kanë mbuluar këtë lum kanë ndikuar që uji i tij të mos shfrytëzohet për pije e bujqësi, raporton KTV.
Peshkatarët, të cilët e frekuentojnë më së shumti këtë lumë, kanë ngritur disa herë shqetësim për gjendjen që është krijuar në këtë lumë.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se rreth 17 % e popullsisë nuk kanë qasje në ujin e pijshëm nga Ujësjellësi dhe për pasojë përdorin puset.
Burbuqe Nushi-Latifi nga ky institut, në PULS të KTV-së, ka thënë se uji në lumin Sitnica është i papijshëm.
Latifi ka theksuar se ky ujë i papastër është ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve ngjitëse.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se do të angazhohen bashkë me Kompanitë e Ujësjellësit që situata të ndryshojë.
Sipas tyre, që nga paslufta, janë investuar rreth 300 milionë euro në sektorin e ujërave. Afrim Lajçi Këshilltar në Këshillin Ndërministror për Ujëra, ka pranuar se gjatë kësaj periudhe ka pasur ngecje në sanksionimin e ndotësve të mjedisit, duke thënë se kjo do të ndryshojë.