Ka bërë bujë aktiviteti i sotëm i kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili kishte dal në një rrugë të Komoranit dhe me çrast ndali punimet për shkak të punimeve të dobëta, shkruan Drenicapress.
Këtë veprim të Lladrovcit e ka përshendetur edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenas.
“E përshëndesim aktivitetin e sotëm të kryetarit Lladrovci, lidhur me mbikëqyrjen dhe inspektimin e punëve në një nga projektet e rrugëve. Shpresojmë që këto aktivitete mos të bëhen vetëm sa për sy e faqe”, thuhet në komunikateën e VV-së të cilin e ka Drenicapress.
Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenas pyet kryetari Lladrovci se me cilin standard po i merr mostrat?
“Ne duam ta pyesim kryetarin: me cilin standard po i merr mostrat dhe a ka Komuna kompani të autorizuar për marrjen e mostrave dhe testimin e tyre apo këtë e bënë organi i formuar për mbikëqyrje nga Komuna?”, thuhet më tej në komunikatë e VV-së.
Madje Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenas ka shprehur dëshirë që ta ndihmojë komunën me ofrimin e një doracaku për procesin e mbikëqyjrej dhe inspektimit sipas standardeve të lejuara:
Zinxhiri i mbikëqyrjes së punimeve duhet të jetë kështu:
- Kompania ndërtuese (kontraktori, punëkryesi)
- Mbikëqyrja e punimeve (sipas detyrës zyrtare nga puntorët e Komunës ose mbikëqyrja nga një kompani e kontraktuar nga Komuna)
- Kontrolli i cilësisë së materialeve 3.1. Ekzaminimet rutinore që bëhen nga operatori i kontraktuar nga punëkryesi, dhe 3.2. Ekzaminimet kontrolluese (superkontrolla) që kryhen nga një operator i kontraktuar nga investitori-Komuna
- Pranimi teknik që kryhet nga komisioni i Komunës apo nga një kompani private e kontraktuar nga Komuna.
Kështu përfundohet një projekt sipas procedurave ligjore. Çdo devijim nga kjo është shkelje e Ligjit. Sa i përket ekzaminimeve që mos të ketë konflikt interesi dhe shmangie nga procedurat, është mirë që Komuna ta kontraktoj një operator si palë e tretë që t’i kryej ekzaminimet kontrolluese (superkontrolla).
Kjo kompani duhet të jetë e akredituar sipas Standardit ISO 17025 (Standardi për Laboratorët Testues). Pastaj çdo analizë kryhet sipas standardeve përkatëse që i kërkon investitori apo që i parasheh kontraktori.”/Drenicapress.info/