Deputeti i Vetëvendojes, Glauk Konjufca beson se presidenti i vendit, Hashim Thaçi është tërhequr nga këmbëngulja se ushtria do bëhet me çdo kusht.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë, Konjufca tha se në këtë mbledhje nuk u fol fare për ushtrinëq dhe nga kjo dhe deklaratat e presidentit gjatë javës së kaluar po vërehet një tërheqje nga transformimi i FSK-së, pasi tani presidenti po jep deklarata se ushtria duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
“Edhe kësaj radhe, në këtë mbledhje nuk diskutuam për ligjin për ushtrinë. Po vërehet se kemi një tërheqje të presidentit pas vrullit se do bëhet transformimi i FSK-së në ushtri. Deri para 10 ditësh kemi pasur deklaratat e presidentit se me çdo kusht do bëhet ligji për ushtri. Pra ose është në koordinim ose nuk është me ndërkombëtarët. Mendoj që presidenti është tërhequr dhe deklaratat e tij nuk janë më se do të bëhet me çdo kusht, por se ushtria s’do bëhet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë Konjufca.
Ai foli edhe për kthimin e Listës Serbe në mbledhjen e kryesisë. Sipas tij, ata u kthyen për të shpëtuar mandatin e tyre.
“Lista u kthye për t’i shpëtuar mandatit të tyre. Ata folën në këtë mbledhje, por ajo që vërejta më shumë ishin grindjes mes tyre, se sa që treguan ndonjë agjendë të qartë pse janë kthyer në kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ai.
Ndërsa ai kritikojë edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.
Sipas tij, Veseli mungojë në mbledhjen e kryesisë për shkak se tani ai është duke bërë fushatë nëpër fshatra të Kosovës.
“Ne në këtë mbledhje nuk e patëm as kryetarin e kryesisë. Sigurisht, kryetar i Kuvendit tani është diku në ndonjë fshatë duke bërë fushatë. Ai po sillet si kryeministër dhe ditëve të fundit opozitës nuk po i vije rendi t’i kritikojë sepse ata po e shajnë njëri-tjetrin dhe këtë po e bëjnë për fushatë”, ka deklaruar më tutje ai.