Trajneri i Çelsit, Antonio Konte, në një moment gjatë ndeshjes mes Çelsit dhe Arsenalit, u pa të reagonte ashpër ndaj asistentit të tij, Anxhelo Alesio, duke e goditur dhe i bërtitur. Video e këtij momenti u përhap me shpejtësi të madhe në media, ndaj pas ndeshjes tekniku italian sqaroi se çfarë kishte ndodhur.
“Anxhelo Alesio është gjithmonë një viktimë. Ishte një moment kur Arsenali kishte fituar një goditje këndi dhe unë doja të ndryshoja disa pozicione të vendosjes sepse ata u pozicionuan me 6 lojtarë në zonën tonë. Ishte një moment shumë i rrezikshëm. U përpoqa të bërtisja për t’u thënë lojtarëve çfarë të bënin dhe më pas i thashë ndihmësit tim të shkonte të jepte mesazhin për të ndryshuar situatën.
Mesazhi nuk shkoi në kohë dhe ne rrezikuam të pësonim gol në atë rast. Anxhelo më njeh mirë që nga koha që kemi punuar te Siena dhe e di pasionin tim në ato momente. Për të fituar, të gjithë duhet të jemi të përqëndruar, si lojtarët edhe stafi”, u shpreh Konte.