Në ditët kur Kosova po shpresonte që Hillary Clinton të zgjidhej presidente e SHBA-së, në këtë post nga votat e amerikanëve erdhi Donald Trump.
Dilemat nëse Trump do të vazhdonte miqësinë me kosovarët, nuk ekzistojnë te deputeti i Nismës, Zafir Berisha.
Në një prononcim për “Indeksonline” ai ka thënë se se kosovarët duhet të marrin si model zgjedhjet në SHBA dhe të votojnë për ndryshimin në zgjedhjet e ardhshme.
Madje, ai ka folur edhe për zgjedhjet komunale që pritet të mbahen më 4 dhjetor në Drenas, duke thënë se qytetarët duhet të reflektojnë dhe ta çojnë vendin përpara duke votuar ndryshimin.
“Unë mendoj se zgjedhjet në SHBA duhet të jenë model fillimisht për Kosovën por edhe për vendet që janë të kapur nga individë dhe politika të caktuara për dekada të tëra. Këtë mund ta bëjnë shumë shpejtë drenicakët duke ndryshuar qeverisjen në Drenas për të reflektuar në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen shumë shpejt parlamentare”, ka thënë ai për “Indeksonline”.
Berisha ka thënë se zgjedhjet në Amerikë janë modeli më i mirë i vetëdijes qytetare dhe se politikat e stërgjatura duhet të ndëshkohen.
Indeksonline ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por nuk arriti të sigurojë një të tillë. Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka humbur një aktivist të saj, Astrit Deharin, për të cilin sot familja e tij ka hapur të pame.