Forma e shkëlqyer që po shfaq këtë sezon me Gaz Metanin e kanë bërë Azdren Llullakun një “pre” të preferuar në merkato.
Për 28-vjeçarin e Kombëtares shqiptare mësohet se ka shfaqur interes Steaua e Bukureshtit në Rumani, si dhe klube nga Turqia.
Gjithashtu ditët e fundit u fol edhe për një interesim nga PAOK-u, por sipas mediave greke, klubi nga Selaniku nuk ka ndërmend të vihet në lëvizje për sulmuesin nga Istogu.
Llullakut, i cili është shënuesi më i mirë i ligës së parë rumune me 12 gola në 14 ndeshje, i përfundon kontrata me Gaz Metanin në fund të këtij sezoni, ndaj gjasat janë të mëdha që ai të ndryshojë mjedis.
Lëvizja bëhet akoma më e mundshme nga fakti që ofertat mund të vijnë nga një kampionat më i fortë se ai i Rumanisë si dhe nga një prej ekipeve elitare rumune.
Ndërkaq, vetë Llullaku e ka deklaruar disa herë në të shkuarën se ëndrra e tij është të luajë në futbollin italian.