Feronikeli kërkon titullin e tretë radhazi që do të ishte i treti në histori të klubit.
Në tri vitet e fundit, skuadra nga Drenasi po i mahnitë të gjithë jo vetëm me rezultatet e arritura në fushë, por edhe jashtë saj, shkruan Infokusi.com.
Në verën e këtij viti, kampionët është dashur të luajnë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi klubet kosovare end nuk i plotësojnë kriteret që kërkohen nga UEFA.
Por, e njëjta gjë nuk pritet ti ndodhë Feronikelit nëse shpallet përsëri kampion ose fiton Kupën.
Kjo për faktin se zyrtarët e këtij klubi janë duke punuar në bazë të kritereve të UEFA-s.
Çdo pagesë bëhet përmes transaksioneve bankare për rreth 40 persona, përfshirë futbollistët dhe zyrtarët tjerë të klubit.
Kështu ka thënë për Infokusi.com, zëdhënësi i ‘Niklit’ Shaban Mehmeti.
“Jemi rrethe 40 persona në klub, përfshirë futbollistët, stafin teknik dhe punëtorët tjerë. Cdo pagesë bëhet përmes transaksioneve bankare dhe gjithçka faturohet. Secilit futbollist i paguhet sigurimi shëndetësor, trusti pensional dhe gjithçka shkon sipas rregullave të UEFA-s”, u shpreh Mehmeti.
Buxheti reth 300 mijë euro
Feronikeli është një hap para shumicës së klubeve tjera, pasi drenicasit e kanë planifikuar edhe buxhetin për sezonin 2016/2017, i cili kap shifrën e rreth 300 mijë eurove.
“E kemi planifikuar buxhetin për një vit, pra për sezonin 2016/2017. Në këtë planifikim do të hyjnë edhe parat nga UEFA që pritet të jenë 220 mijë euro. Me këto mjete dhe mjetet tjera buxheti kap shifrën e rreth 300 mijë eurove”, theksoi Mehmeti ekskluzivisht për Infokusi.com.
Në bazë planifikimeve buxhetore të Feronikelit, pagesat mujore që i kanë drenicasit, sillet rreth 25 mijë euro.
Kompanitë ‘Aktive’, ‘Al Trade’, ‘Trasing Group’ dhe Komuna e Drenasit janë mbështetësit kryer të Feronikelit, por kampionët kanë edhe disa sponsor të tjerë që vazhdimisht e ndihmojnë klubin.
Gjatë tri viteve të fundit, futbollistët e Feronikelit janë paguar me rregull nga klubi dhe nuk kanë pasur asnjëherë probleme të natyrave të tillë dhe ky është një shembull i mirë që duhet ndjekur edhe nga klubet tjera./Infokusi.com/