Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u mbajt protesta në mbrojtje të vajzës, e cila ditë më parë u rrah në Rahovec nga xhaxhai i saj.
Marshi protestues është organizuar nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës dhe filloi në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar para Qeverisë së Kosovës, ku edhe kanë vendosur disa pankarta.
Në këtë morën pjesë edhe figura publike nga sfera të ndryshme të jetës në Kosovë.
Në mesin e tyre janë edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe deputetja Blerta Deliu- Kodra, Vlora Dumoshi shefe për protokol në kabinetin e kryeministrit Mustafa.
Hoxha shpreh shqetësimin e saj, lidhur me dhunën ndaj të miturve dhe fton të gjithë faktorët institucional e shoqëror për zbatimin e ligjit me prioritet, ku cenohen të drejtat e të miturve dhe femrës, por edhe çfarëdo dhune.
“Jam e tronditur nga rasti i dhunës ndaj të miturës në Rahovec. Rasti i tillë shpresojmë të mos përsëritet dhe organet përgjegjëse duhet të marrin vendime për pengimin dhe luftimin e kësaj dukurie, por edhe çfarëdo dhune”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.