back to top
Wednesday, August 20, 2025
BallinaLajmeKryeministri Mustafa: Nënë Tereza personifikim i virtyteve më të larta njerëzore

Kryeministri Mustafa: Nënë Tereza personifikim i virtyteve më të larta njerëzore

Të ngjajshme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e promovimit të emisionit të jashtëzakonshëm të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë që ka për Kosovën shenjtërimi i Nënës Terezë dhe aktivitetet shtetërore që po organizohen në kuadër të Vitit të Nënës Terezë, të shpallur nga Qeveria e Kosovës.

“Për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj, është një nder i veçantë që të respektojmë një figurë të jashtëzakonshme dhe një humaniste globale siç është Nënë Tereza. Prandaj, ky vit është një vit i madh për Kosovën, është vit i të arriturave tona, por mbi të gjitha është vit i Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa më tutje ka folur për figurën e Nënës Terezë duke e quajtur figurë madhore që doli nga populli shqiptar, por që tani i takon tërë njerëzimit.

“Nënë Tereza është personifikim i humanizmit, i vetëmohimit për njeriun, i sakrificës shpirtërore dhe fizike për njerëzit në nevojë, është simbol i dashurisë, i shpresës dhe i virtyteve më të larta njerëzore. Prandaj Shenjtërimi i Nënë Terezës është një ngjarje botërore, por një ngjarje të cilën ne në Kosovë dhe gjithë shqiptarët e përjetojnë në mënyrë të veçantë për arsye të përkatësisë sonë dhe Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Duke vlerësuar lartë edhe veprën e Postës së Kosovës për emetimin e Pullës Postare e cila i përkushtohet Shenjtërimit të Nënës Terezë, kryeministri Mustafa i ka përgëzuar të gjithë ata që kanë punuar në këtë drejtim.

“Ne të gjithë po demonstrojmë respektin tonë shtetëror, respektin tonë qytetar, respektin tonë social, por edhe të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për figurën e Nënë Terezës. Unë ju falënderoj për këtë organizim, falënderoj Postën dhe veçmas falënderoj Ipeshkvin e Kosovës për gjithë punën e madhe që po bënë në këtë vit, por edhe punën që ka bërë edhe në vitet e kaluara në dhënien e rëndësisë së veçantë simbolikës së figurës së Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka falënderuar Postën e Kosovës për iniciativën që në letrat që do të nisen prej Kosovës nëpër botë “të jetë figura e shenjtëreshës sonë Gonxhes sonë të dashur, nënës së botës dhe nënës së të varfërve, e cila na nderon dhe na bënë krenar të gjithëve”.

Imzot Gjergji, po ashtu  ka falënderuar kryeministrin për shpalljen e vitit të Nënës Terezë, por edhe për kontributin të cilin Qeveria e Kosovës e ka dhënë për koncertin i cili do të mbahet në Vatikan në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë, më 3 shtator, dhe Parlamentin e Kosovës që e ka shpallur ditën e bamirësisë 5 shtatorin, ditën e Nënës Terezë.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz